Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar se një tarifë prej 50 për qind do të vendoset mbi importet e bakrit, duke filluar nga 1 gushti.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social “Truth Social”, Trump shkroi: “Pas një vlerësimi të plotë të sigurisë kombëtare, po njoftoj një tarifë prej 50 për qind mbi bakrin, që do të hyjë në fuqi më 1 gusht.”
Kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi se bakri është një material thelbësor për prodhimin e gjysmëpërçuesve, avionëve, anijeve, municioneve, qendrave të të dhënave, baterive litium-jon, sistemeve të radarëve, sistemeve të mbrojtjes nga raketat dhe armëve hipersonike.
Sipas Trump, bakri është metali i dytë më i përdorur nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes.
Duke kritikuar ashpër administratën e Joe Biden-it, Trump tha: “Udhëheqës budallenj dhe letargjikë po e shkatërrojnë industrinë e bakrit.
Kjo tarifë prej 50 për qind do ta përmbysë sjelljen e pamatur dhe budallallëkun e administratës së Biden-it. SHBA-ja do të krijojë përsëri një industri dominuese të bakrit. Në fund të fundit, kjo është epoka jonë e artë.”