Dempkraci ne veprim

2 Minuta Lexim

Nga Tan XJAMA-

Prona e përbashkët dhe prona private nuk janë kuptuar kurrë siç duhet në Shqipëri.
Në periudhën e socializmit, pavarësisht fuqisë së propagandës shtetërore dhe moralit ideologjik për krijimin e një prone që “i përkiste të gjithëve”, njerëzit e kishin të vështirë të besonin se ajo ishte realisht e tyrja. Prona e përbashkët mbeti një koncept abstrakt, i huaj për mendësinë e trashëguar nga epokat feudale dhe osmane, ku prona njihej vetëm si personale apo e familjes.

Me ardhjen e demokracisë dhe lejimin e pronës private, egoizmi individual u rrit në ekstrem, shpesh i shoqëruar me abuzime të rënda në dokumentacionin e pronësisë – në kurriz të pronës së përbashkët. Në thelb, e përbashkëta është abstrakte, ndërsa individualja është konkrete.

Këtu është e rëndësishme të bëjmë një dallim themelor midis qytetarit dhe fshatarit.
Qytetari, i rritur me rregulla urbane dhe në një mjedis ku ndarja e hapësirës publike është pjesë e jetesës, e kishte më të qartë respektimin e së përbashkëtës. Fshatari i kooperativës, nga ana tjetër, nuk e përvetësoi dot kurrë idenë e tokës kolektive – atij gjithmonë i dhimbsej parcela e vet. Ky mentalitet u reflektua edhe në migrimin masiv pas viteve ’90, kur zonat përreth Tiranës u pushtuan nga komunitete fshatare që i trajtuan hapësirat publike si prona të askujt – pra, për t’u marrë nga kushdo.

Edhe sot, ky mentalitet mbetet një pengesë serioze për ndërtimin e shtetit dhe një shoqërie kohezive.
Zaptimi i tokave dhe parqeve duhet të ndalet një herë e mirë. Përndryshe, nuk do të bëjmë kurrë shtet.

Kryeministri duhet mbështetur plotësisht në nismën për të mbrojtur pronën kolektive, por mbi të gjitha për të ndërtuar mendësinë e një shoqërie ligjore dhe demokratike europiane.
Nga Tan XJAMA

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull