Zv.kryeministrja Belinda Balluku në seancën e sotme plenare u shpreh se për të është e pashpjegueshme sesi opozita kërkon debat për faktin që ERE vendosi të mos e aplikojë fashën 800 kwh.
Po ashtu, ministrja e ka akuzuar opozitën se po përfiton nga situata e krizës dhe se po tallet me fushatën ndërgjegjësuese për kursimin e energjisë si dhe po dezinformon qytetarët.
“Çelësi i suksesit për të përballuar këtë krizë është kursimi. Ju vazhdoni të talleni dhe dezinformoni njerëzit. Sot po minoni një nga aktivitetet më të rëndësishme, kursimin e energjisë dhe jeni të investuar të gjithë për të ndaluar këtë proces. Nga 1-17 tetor kemi 5% më pak konsum krahasuar me një vit më parë.
Kjo vjen nga sjellja e qytetarëve që ju i nxisni të mos i marrin parasysh masat e kursimit. Ju jeni opozita rublave. Ju po i bëni thirrje njerëzve që të mos kursejnë. Ne themi kurseni, fikni dritën, mbyllni derën e frigoriferit. Ju i thoni të mos kursejnë. Kjo është arrogancë”, tha Balluku.
Sipas saj “ne e kemi nisur kursimin nga vetja, kurse qytetarët nuk po i detyrojmë, por po i sensibilizojmë. Fakti që krahasuar me tetorin 2021, konsumatorët shqiptarë kanë konsumuar 5% më pak është për tu përshëndetur dhe na jep shpresë. Në 30 shtator kishim motin që përmirësoi liqenin e Fierzës, Komanin dhe Vaun e Dejës dhe duke pasur të dhënat që konsumi u ul qeveria mori vendim të mos e aplikonte fashën 800 kwh”.