Nga Enver Robelli-
(Nga fjala e Presidentit gjerman Frank-Walter Steinmeier në ceremoninë e 80-vjetorit të themelimit të gazetës “Süddeutsche Zeitung”)
Në një ceremoni festive në München me rastin e 80-vjetorit të themelimit të gazetës së rëndësishme gjermane “Süddeutsche Zeitung” (SZ), Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier mbajti një fjalim mbi rolin e gazetarisë së lirë dhe të pavarur në demokraci. Steinmeier e vlerësoi SZ si një “rojë liberale, të pavarur dhe pa ndërlidhje me shtetin” në shërbim të demokracisë.
Ai e përshkroi SZ si një autoritet të gazetarisë gjermane me profil të veçantë, stil të vetin dhe qëndrim të qartë. Me tone kritike dhe të pavarura, ajo nuk i ka shërbyer asnjë pushteti, por ka qenë gjithmonë një zë që i mban nën vëzhgim institucionet dhe politikën, në München, në Berlin, në Europë dhe në botë.
Steinmeier tha se nuk ka kompliment më të madh për një gazetë sesa të quhet “e pavarur nga shteti dhe e përkushtuar ndaj demokracisë”. Steinmeier tha se i bashkohet këtij vlerësimi. Duke iu referuar misionit të përbashkët mes gazetarisë së pavarur dhe institucioneve demokratike, Presidenti theksoi se ndarja e roleve – kontrolli kritik nga mediat dhe mbrojtja e lirisë së shtypit nga shteti – është shtyllë themelore e rendit demokratik. Ai e ilustroi këtë me shembullin e vet: një ditë një gazetë të uron për ditëlindje, ditën tjetër kritikohesh prej saj – dhe kështu duhet të jetë në një demokraci të shëndetshme, tha ai.
Steinmeier bëri një përshkrim historik të themelimit të SZ më 6 tetor 1945, kur pas Luftës së Dytë Botërore, drejtuesit e saj shkrinë plumbin e librit “Mein Kampf” të Adolf Hitlerit për të stampuar numrin e parë të gazetës.
Steinmeier lavdëroi gazetarët si Edmund Goldschagg e Werner Friedmann të cilët drejtuan gazetën drejt një kursi të përkushtuar ndaj demokracisë, lirisë së mendimit dhe gazetarisë me përgjegjësi.
SZ, sipas Steinmeier, ka ndryshuar shumë gjatë dekadave të fundit – është bërë më digjitale, më femërore dhe është zhvendosur në një kullë moderne në periferi të Münchenit –, por ka mbetur besnike ndaj idealit të gazetarisë së lirë dhe me integritet. Ai e përshkroi SZ si një “kozmopolite nga Müncheni”, elegante, inteligjente, ironike, por gjithmonë me respekt për njeriun.
Presidenti vlerësoi gazetarinë hulumtuese të SZ, sidomos me rastin e “Panama Papers”, por edhe rubrikat si “Seite Drei” (faqja e tretë, ku botohen kryesisht reportazhe brilante), dhe “Streiflicht”, një shtyllë në ballinë në të cilën me ironi e gjuhë elegante përshkruhen fenomenet e përditshmërisë. Sipas tij këto rubrika demonstrojnë se edhe debati politik mund të jetë i mençur, me humor dhe me stil.
Në kohë krize, lufte dhe dezinformimi, theksoi Steinmeier, shoqëria ka më shumë se kurrë nevojë për orientim dhe qartësi. Kjo qartësi nuk mund të ofrohet nga rrjetet sociale, ku përhapet polarizimi, skandalizimi dhe zhurma. Në vend të kësaj, nevojitet gazetari që informon me saktësi, kontrollon faktet, zbulon të vërtetën, përshkruan kompleksitetin e botës dhe ndihmon qytetarët të kuptojnë realitetin dhe të marrin pjesë me vetëdije në demokraci.
Ky lloj gazetarie – që nuk ndjek emocionet e çastit, por kërkon të kuptojë dhe të shpjegojë – nuk mund të zëvendësohet nga inteligjenca artificiale, paralajmëroi presidenti. Për të realizuar këtë mision duhen redaksi të kualifikuara, gazetarë me etikë, guxim dhe pasion.
Ai përfundoi me një thirrje: ruajeni këtë gazetari! Mos ndiqni logjikën e rrjeteve sociale! Dhe qëndroni çfarë jeni: një karakter i veçantë – quite a character.
Në fund të fjalës së tij, ai theksoi: “Asgjë nuk është më e rëndësishme sot sesa gazetaria e së nesërmes.” Dhe për këtë, “Süddeutsche Zeitung” meriton urimet më të përzemërta për 80 vitet e saj dhe mirënjohje për shërbimin e çmuar që i ka bërë dhe i bën demokracisë.

sueddeutsche.de
80 Jahre Süddeutsche Zeitung: Rede von Bundespräsident Steinmeier im Wortlaut
Die Süddeutsche Zeitung feiert 80 Jahre Bestehen mit einem Festakt in München.