Prezantohet drafti i Kodit të ri Penal/ Manja: Pasi të marrë ‘vulën’ nga Brukseli do të miratohet në Parlament! Në konsultime të marrë pjesë edhe opozita

2 Minuta Lexim

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, prezantoi sot draftin e Kodit te ri penal, duke deklaruar se Kodi Penal aktual nuk i përgjigjet më sfidave të kohës. Sipas Manjës, ndryshimi i Kodit Penal është jo vetëm i domosdoshëm, por në kushtet aktuale, i pashmangshëm.

Ministri sqaroi se puna për një draft të ri kishte nisur që në vitin 2019, por vetëm në shkurt 2023 u ngarkua zyrtarisht një grup i pavarur pune, i përbërë nga ekspertë të njohur të fushës, nën drejtimin e profesor Arben Rakipit, për të hartuar projektin e Kodit të ri Penal.

Sipas Manjës, ky draft nuk është produkt i Ministrisë së Drejtësisë apo i qeverisë, por vepër ekskluzive e grupit të punës, ndërsa ministria ka luajtur vetëm rol organizues dhe mbështetës në të gjitha fazat e punës dhe do ta vazhdojë këtë rol edhe gjatë procesit të konsultimit publik.

“Autorësia e draftit mbetet në pronësi të grupit të punës, edhe gjatë konsultimit publik, ndërsa në një fazë të mëvonshme, projekti do të marrë vulën e certifikimit në Bruksel. Vetëm pas kësaj procedure, do të vijojmë me hapat institucionalë për miratimin e tij në Kuvend, me shumicë të cilësuar”, sqaroi ministri.

Në përfundim, Manja i drejtoi një ftesë të veçantë opozitës parlamentare, duke e ftuar të marrë pjesë aktive dhe të kontribuojë me ekspertizë dhe propozime konkrete në tryezat e konsultimit publik, për të ndërtuar një Kod Penal që reflekton interesin dhe nevojat e të gjithë shoqërisë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull