Nga Kuvendi ku po diskutohet situata e krizës energjitike në vend, deputeti socialist Arben Ahmetaj është shprehur se vendimmarrja për fashën 800 kwh është e duhura.
Sipas tij, masa që tashmë ka dhënë efekt pasi qytetarët kanë nisur që të kursejnë dhe të ndërgjegjësohen për krizën që ka prekur vendin.
“Duhet t’i kthehemi çik në gjenezë debatit. Opozita po kërkon që potencialisht vendimi i qeverisë dhe ERE-s për të kapur 2 fasha konsumi të energjisë elektrike me qëllim progresivitetin dhe mbështetjen e shtresave në nevojë dhe ngarkimin me çmimin afër reales dhe jo reales të një shtrese që kalon mbi 800.
Thelbi është mundësia financiare e qytetarëve dhe ana tjetër e diskutimit që është një shtyllë e cila nuk lëviz është konseguenca e luftës në Ukrainë, invazioni rus në Ukrainë në të gjitha shtresat ekonomike, europiane dhe sektorë që nga energjia deri te të fundit. Konseguenca është inflacioni.
Vendimmarrja e qeverisë për fashën 800 është e duhur. Ka vepruar dhe iu referua dhe një nga deputetët e opozitës, ka pasur efektet e veta pozitive. Në janar konsumi i energjisë ka qenë 406. Sot në muajin korrik ka zbritur në 285. Qytetarët në mundësitë e tyre tregon më racionalë me shpenzimin e energjisë.
Subvencionimi është më i madh se ai që ju shikoni. Shqipëria është vendi që ka pasur të qartë subvencionimin e energjisë për popullatën që ditën një. Qeveria do vazhdojë të subvencionojë, por progresiviteti është në themel të vendimmarrjes.
Kjo është një faturë e një familjeje në nevojë. Realisht e keni këtu, emri nuk është por është kollaj e gjetshme.
Praktikisht me përllogaritje të thjeshtë faqe, qeveria sot këtij konsumatori që ka 128 kilovatë, e subvencionon gati 1 mln lekë të vjetra në vit. Imagjinoni sikur të shkojmë te mesatarja e konsumit që është 460 kilovatë, subvencionohet 4 mln lekë të vjetra në vit. Ju thoni Maqedonia po jep 100, ne po japim 300 e ca euro në muaj. Ne do vazhdojmë të subvencionojmë 350 euro në muaj, qoftë për familjen, qoftë për biznesin.
Qeveria ka shkuar përtej kushteve të veta. Ajo që po bën qeveria me energjinë është e pashembullt, për të ndihmuar qytetarët. Edhe biznesi prapë s’e paguan tarifën aq saç është realisht. Kur dilni këtu kundër fashës e bëni politikisht, edhe kundër logjikës”, tha Ahmetaj.