Dashnor Kokonozi
Ora shtatë e mëngjesit, e mërkurë 19 tetor, 2022.
Eshtë rituali i ditës së shumë radiove në botë. Në Tiranë këtë informacion rutinë ma jep një Radio që permend shpesh se është “kombëtare”. Rubrika e saj quhet “klubi i mëngjesit”.
Duke qenë një orë mjaft e rëndësishme e ditës (ata që merren me statistikat e dëgjimit e dinë mirë përse po flas) si e tillë në çdo radio në botë, jepet një përmbledhje e shkurtër e lajmeve.
Eshtë e pashmangshme për një radio që respekton veten.
Përgatitem edhe unë të dëgjoj të rejat që ka sjellë nata në vend, për luftërat, krizat e tensionet kudo në botë.
I dëgjoj edhe për të kuptuar mënyrën si i formulojnë lajmet në radiot shqiptare, si i rendisin, çfarë raport kohor u lënë problematikave të ndryshme etj…
Radio në fjalë, bën adetin e reklamave më parë.
Bëj durim, edhe pse ato janë të gjata e pa fantazi, u ngjajne atyre të viteve ’30.
Përfundimisht nuk ka lajme.
Në vend të tyre dikush nis e jep këshilla se si duhet vrarë ariu. Dhe kjo pa as më të voglën grimë humori.
Shkurt, shpjegon se ariu duhet vrarë befasisht, kur ai nuk të sheh. Në mos, nëse vendos ta qëllosh nga përpara, ose kur ai të sheh, duhet të bësh çmos që ta vrasësh menjëherë.
Se ka ndodhur, shpjegon ai shume seriozisht, që kur nuk e kanë vrarë menjëherë, ariu i ka ndjekur pas gjuetarët, u ka marrë pushkën dhe me qytën e saj i ka goditur në kokë…
Nuk ke dëshirë as të qash e as të qeshësh.