Unionit të Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar ne lidhje me projektin e ri te Kodit te Ri Penal. Nepermjet nje deklarate , UGSH shpreh shqetesimin per rrezikun qe ivjen lirise se shtypit ne rast miratimi te tij.
Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
Projekti i ri i Kodit Penal rrezikon lirinë e shprehjes dhe paralajmëron një sistem represiv juridik
Tiranë më 1 Gusht 2025
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, përmes kësaj deklarate, shpreh refuzimin substancial ndaj disa neneve të parashikuara në draftin e ri, projekt për Kodin e ri Penal të Republikës së Shqipërisë, i shpërndarë zyrtarisht.
Në këtë draft, i cili po kontenstohet prej shumë zërave nga komuniteti i juristëve, pedagogëve dhe ekspertëve të fushës së jurisprudencës, përfshi edhe gazetarë të shumtë që ndjekin cështje juridike dhe mbartin ekspertizë në aspekte të amendimeve ligjore, vërrejmë se krijohen cënime të të drejtave themelore dhe krijohen premisa të rrezikshme për kufizim dhe pengim të lirisë së shprehjes dhe raportimit.
UGSH vërren se në tekstin e këtij drafti mbarten rreziqe për lirinë e shprehjes.
Procesi i saponisur i amendimit të Kodit Penal, pasuron paqëndrueshmërinë juridike në vend, (pasi në 30 vitet e fundit kodi është ndryshuar 24 herë me ligj dhe 10 herë pas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese).
Ftesa për të marrë pjesë në diskutimet e këtij drafti është thjesht një akt formal tradicional, ndërkohë që do të duhej konceptimi i një metodologjie partneriteti kontribues me të gjitha grupet e interesit dhe sidomos, faktorët e aktorët e ekspertizës së profileve për të dhënë kontribut specifik e konkret për nenet sipas sferave, lëmive dhe hapësirës ndërinstitucionale, ku përfshihen edhe nene për mediat, shprehjen e raportimin e lirë, për transparencën dhe detyrimet për komunikim dhe informim publik.
UGSH shpreh rezerva të mëdha për gjuhën e pacilësishme të përdorur në këtë draft, duke mbartur shprehje dhe cilësime ambigue të cilat lenë hapësira keqinterpretimesh dhe ndëshkimesh të padrejta.
Ashpërsimi i ndëshkimeve të parashikuara në këtë draft, është pjesë e logjikës së një legjislacioni represiv mbi qytetarët dhe vecanërisht edhe ndaj lirisë së raportimit dhe shprehjes apo përdorimit të gjuhës në vlerat e satirës apo të humorit në komunikimin, ligjërimin dhe shpalljen publike.
Vërrejmë se në nene të vecanta si “ Neni 236”, nën koracën mbrojtëse të simboleve apo heraldikës shtetërore dhe kombëtare përfshihet edhe penalizimi, në rastet kur sic pretendohet në draft, përdhosen emri apo imazhi i Presidentit të Republikës, Kuvendit, Qeverisë etj, ndërkohë që këta titullarë të lartë institucionalë janë persona politikë dhe publikë.
Dispozita e re në draft, në kapitullin mbi veprat kundër rendit kushtetues, e konsideron “përdhosje” çdo akt që shihet si dhunim ose poshtërim i vlerave të nderuara të institucioneve të përmendura, c’ka do të krijojë vazhdimisht mundësi për cuarjen e gazetarëve, editorit apo edhe përfaqësuesve të tjerë të mediave shpesh e më shpesh në procese gjyqësore apo paraqitje pranë prokurorëve.
UGSH, nisur nga përmbajtja e plotë tekstuale e draftit, konstaton me shqetësim të madh se ai sjell dhe shkakton një ndikim negativ mbi lirinë e medias dhe shprehjes në republikën tonë.
Ky draft paralajmëron mundësinë që vendi ynë, të ketë një Kod të ri Penal që shënon kthim mbrapa për lirinë e shprehjes, dhe shpërfill rekomandimet e direktivave të BE-së dhe praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Dokumenti shpërfill rekomandimin e shumëpërsëritur për dekriminalizimin e shpifjes.
Ne kërkojmë riparjen përmbajtësore të neneve 120, 240, 241 si dhe Nenin 865, të cilët sjellin pasoja goditëse jo vetëm mbi gazetarët, por edhe për qytetarët që shprehen me zërin e tyre kritik, përmes mediave. Masat e dënimeve dhe penalitetet financiare që parashikohen, në përputhje me këto dispozita, janë më të rënda dhe dëshmojnë brendinë e një tendence për instalim të një sistemi juridik represiv.
Parashikimet penalizuese në “ Nenin 536” janë realisht kërcënim ndaj përpjekjeve dhe kurajos për transparencë publike të gazetarëve.
UGSH vlerëson se ky draft ka nevojë për rishikim substancial, për riformulime dhe saktësime, për drejtformulime të cilat marrin në konsideratë propozimet që po bëhen nga organizatat e gazetarëve, aktorët e shumtë shoqërorë, ekspertët dhe sidomos përfaqësimet profesionale në entitete rajonale dhe ndërkombëtare për legjislacionin dhe përafrimin e tij me bashkësinë e vendeve të BE-së.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë