Këshilli i Sigurimit i OKB-së është thirrur për të mbajtur një takim urgjent nesër, të martën, mbi çështjen e pengjeve izraelite në Rripin e Gazës, njoftoi dje, të dielën, përfaqësuesi i përhershëm i Izraelit në organizatën ndërkombëtare, në sfondin e një atmosfere indinjate për fatin e tyre në enklavën e shkatërruar pas 22 muajsh lufte dhe të kërcënuar nga uria.
Danny Danon, ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, njoftoi takimin nëpërmjet rrjeteve sociale, disa ditë pasi u publikuan video që tregonin dy pengje izraelite tmerrësisht të dobëta.
Danon sqaroi se Këshilli i Sigurimit “do të mblidhet (nesër) të martën në një takim urgjent mbi situatën katastrofike të pengjeve në Gaza”.
Publikimi të enjten nga lëvizja islamiste palestineze dhe aleati i saj, Xhihadi Islamik Palestinez, i tre videove që i përshkruanin këta dy pengje izraelitë të dobësuar, shkaktoi reagime të forta emocionale në Izrael dhe debat të ashpër rreth nevojës për të arritur një marrëveshje për lirimin e këtyre njerëzve, të cilët u rrëmbyen gjatë bastisjes së paprecedentë të Hamasit në pjesën jugore të territorit izraelit më 7 tetor 2023, e cila ishte shkaku i luftës.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kërkoi dje ndihmën e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (KNKK) për të “siguruar ushqim”, si dhe “kujdes mjekësor” për pengjet.
Menjëherë më pas, krahu ushtarak i Hamasit deklaroi gatishmërinë e tij për t’iu përgjigjur “pozitivisht” çdo kërkese nga KNKK-ja, por më parë kërkoi “hapjen e korridoreve humanitare të OKB-së për të lejuar kalimin e ushqimit dhe ilaçeve” në Rripin e Gazës.
Brigadat al-Qassam “nuk i privojnë qëllimisht të burgosurit nga ushqimi”, pretendoi lëvizja, duke shtuar se pengjet “nuk trajtohen më mirë për sa kohë që bllokada dhe politika e urisë vazhdojnë”.
Videot e publikuara nga Hamasi i referohen situatës katastrofike humanitare në Rripin e Gazës.
Enklava palestineze, e cila është plotësisht e varur nga ndihma humanitare, po përballet me kërcënimin e “urisë së përgjithshme”, paralajmëron OKB-ja.
Organizatat ndërkombëtare dhe organizatat joqeveritare denoncojnë pengesat e përsëritura nga autoritetet izraelite, të cilat po nxisin kaosin. Sipas burimeve në organizatat humanitare dhe ekspertët, ndihma, e cila arrin me pika, po plaçkitet nga bandat.
Në bastisjen e krahut ushtarak të Hamasit në pjesën jugore të territorit izraelit më 7 tetor 2023, 1,219 persona humbën jetën në anën izraelite, shumica e të cilëve civilë, sipas një llogaritjeje të Agence France-Presse bazuar në të dhënat zyrtare izraelite.
Në operacionet hakmarrëse ushtarake izraelite në shkallë të gjerë, 60,332 persona kanë humbur jetën në Rripin e Gazës, shumica e të cilëve civilë, sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë e qeverisë së Hamasit, e cila konsiderohet e besueshme nga OKB-ja.
Nga 251 personat që u rrëmbyen më 7 tetor 2023, 49 mbeten në enklavën palestineze, por 27 prej tyre janë shpallur të vdekur nga ushtria izraelite, pas dy marrëveshjeve të armëpushimit që lejuan lirimin e pjesës tjetër.