Nga Marieta Mërkuri
Më duhet t’ua them hapur.
Çfarë keni me Nartën?
Përse e lini në këtë gjendje të turpshme, pa ujë, në kulmin e sezonit, në pikun e vapës. Pa ujë për muaj të tërë.
Ndërsa në qytet ngrihen e do të ngrihen kulla gjigande dhe aeroporte moderne, ju, ata që duhet të kujdeseni për njerëzit, i lini banorët e Nartës të vuajnë si në mesjetë, me bidona në dorë, duke kërkuar ujë të pijshëm ca andej e këndej , që është e drejta më elementare e çdo qenieje njerëzore.
E njoh Nartën. Është fshati i nënës sime, me familje fisnike, njerëz punëtorë, me zemër të madhe dhe shpirt artistësh. Por për dekada me radhë, sistemi i asaj kohe i trajtonte ata me përbuzje thjesht sepse flisnin greqisht dhe i quanin “filogrekë”, një epitet talljeje që u shërbente për t’ i përjashtuar dhe stigmatizuar.
Kjo urrejtje sistematike ndërtoi një mur indiference që fatkeqësisht vazhdon edhe sot.
Tani, në 2025-ën, prapë i njëjti skenar.
Ju, që jeni në pozicionet e pushtetit lokal dhe qendror, ju që keni në dorë fatin e banorëve, pse heshtni?
Pse lejoni që banorët e Nartës të jenë pa ujë për muaj të tërë?
Përse nuk bëni asgjë për të zgjidhur këtë problem që është thjesht një e drejtë njerëzore?
Kjo nuk është thjesht një mungesë infrastrukture, është një turp.
Një shkelje e dinjitetit njerëzor dhe një dëshmi e indiferencës së thellë.
Ju, mund të ndërtoni aeroporte dhe kulla, por nëse nuk siguroni ujë për njerëzit, nuk po bëni asgjë më shumë sesa të fasadizoni një pamje të jashtme zhvillimi pa përmbajtje.
Nëse dikur përbuzja ndaj nartiotëve ishte një politikë shtetërore për t’i margjinalizuar, sot ajo vazhdon përmes heshtjes suaj dhe mungesës së përgjegjësisë.
Për një popull që ka qenë gjithmonë pjesë e kësaj toke, e cila punon dhe beson fort në traditat e veta, ky trajtim është një padrejtësi e pashpjegueshme.
Zgjohuni!
Narta nuk është thjesht një vend, është një histori njerëzore që meriton respekt dhe drejtësi. Është koha të dilni nga indiferenca dhe të nisni zgjidhjen e problemeve reale që po i bëjnë njerëzit të vuajnë.
Uji është jetë!
Dhe ju jeni përgjegjës për çdo pikë që mungon. Nuk ka më justifikime, nuk ka më vonesa.
Nëse duam të quhemi shoqëri e qytetëruar, fillojmë nga njerëzit më të thjeshtë. Sepse një vend nuk matet nga kullat që ndërton, por nga kujdesi për ata që kanë më shumë nevojë.
Ndaj, Bashki e Autoritete përgjegjëse!
Mos e lejoni më Nartën të vuajë në heshtje.
Uji është i tyre. Drejtësia është e tyre.
Dhe ata do të kërkojmë drejtësi deri sa ta marrin atë që u takon!