SHTËPIA BOTUESE “NACIONAL”, TIRANË PUBLIKON ANTOLOGJINË NDËRKOMBËTARE “MUZA BOTËRORE NË SHQIP” TË PËRKTHYER NGA ANGELA KOSTA

5 Minuta Lexim

Nga Dr. Mujë Buçpapaj

“Përzgjedhja, përkthimi dhe pajisja me shënime bibliografike për çdo autor është kryer me përkushtim të lartë profesional nga përkthyesja e mirënjohur dhe promovuesja ndërkombëtare e letërsisë Angela Kosta. Me këtë rast, i shpreh mirënjohjen time të thellë për punën e kujdesshme, cilësore dhe dashamirëse që ka bërë të mundur realizimin e kësaj vepre me një standard të lartë artistik dhe kulturor. Po keshtu kopertina e librit eshte punuar nga piktori shqiptaro-amerikan me fame nderkombetare, Nazmi Hoxha.

Nga Dr. Mujë Buçpapaj

Shtëpia Botuese “Nacional” ka kënaqësinë të njoftojë botimin e antologjisë poetike “Muza botërore në shqip”, një vepër përfaqësuese që sjell në gjuhën shqipe zërat poetikë të 45 autorëve bashkëkohorë nga mbarë bota. Kjo antologji është publikuar në dy formate, të shtypur dhe elektronik dhe përfaqëson një akt të rëndësishëm të ndërkomunikimit kulturor dhe përkthimor në hapësirën letrare shqiptare.
Përzgjedhja, përkthimi dhe pajisja me shënime biografike për çdo autor është kryer me përkushtim të lartë profesional nga përkthyesja e mirënjohur dhe promovuesja ndërkombëtare e letërsisë Angela Kosta. Me këtë rast, i shpreh mirënjohjen time të thellë për punën e kujdesshme, cilësore dhe dashamirëse që ka bërë të mundur realizimin e kësaj vepre, me një standard të lartë artistik dhe kulturor.

Po kështu kopertina e librit është punuar me mjeshtëri nga piktori shqiptaro-amerikan me famë ndërkombëtare, Nazmi Hoxha, të cilin e falenderojmë nga zemra.

Për shkak të kufizimeve hapësinore të botimit, një numër tjetër autorësh nuk janë përfshirë në këtë vëllim të parë, por ata do të jenë pjesë e një antologjie të dytë që tashmë është në proces përgatitjeje dhe do të botohet brenda këtij viti, si vijim i natyrshëm i këtij projekti letrar ndërkombëtar.

Në këtë antologji marrin pjesë poetë dhe poete nga vende të ndryshme të botës, përfshirë:
Regina Resta, Francesca Gallello, Maria Errico, Serenella M. Siriaco, Gabriella Picerno, Anna Maria Lombardi, Arianna Mosconi, Elisabetta Bonaparte, Antonietta Micali, Concetta La Placa, Marianna Iannarone, Sabrina Morelli, Anna Ferriero (Itali),
Arslan Bayir (Turqi), Kim Mi Hyung, Yang Geum-Hee, Yoon Jong-Nam (Koreja e Jugut),
Anna Keiko (Shanghai), Mario Belolli (Brazil), Christine Peiying Chen (Zelanda e Re),
Iris Calif (Izrael), Tarana Turan Rahimli (Azerbajxhan), Mohamed Ellaghafi, Hassane Yarti (Marok), Farzaneh Dorri (Danimarkë), Peter Thabit Jones (Uells), Dr. Tzemin Ition Tsai (Kinë), Dr. Jernail Singh Anand, Dr. Shailesh Gupta Veer (Indi), Parvinder Nagi (Kenia), Strider Marcus Jones (Angli), Antonina M. Wiśniewska (Poloni), Mariela Cordero (Venezuelë), Charles Lipanda Matenga (Kongo), Nasir Aijaz (Pakistan), Hasan Nashid (Bangladesh), dhe të tjerë.

Në parathënien e saj, përkthyesja Angela Kosta shkruan: “Siç do ta lexoni edhe në këtë antologji, poetët e përzgjedhur prej meje japin mesazhe të rëndësishme dhe universale për jetën. Ata trajtojnë me ndjeshmëri problemet sociale aktuale, shpresën për një jetë dhe një të ardhme më të bukur, bashkë me dilemat që e shoqërojnë atë. E gjithë lënda poetike e këtij libri ngjan si një takim me fatin, me të ardhmen, me pasiguritë dhe ankthin që shoqëron jetën tonë, botën tonë, por edhe sfidat dhe shpresën për më mirë të njerëzimit. Prandaj, ky libër duhet lexuar.”

Në përputhje me vizionin e saj kulturor dhe misionin e shpërndarjes së vlerave universale përmes letërsisë, Shtëpia Botuese “Nacional” i kushton një rëndësi të veçantë sjelljes në gjuhën shqipe të zërave më të spikatur të letërsisë dhe poezisë botërore. Përkthimi dhe botimi i poezisë së huaj është jo vetëm një akt kulturor i domosdoshëm për pasurimin e fondit letrar kombëtar, por edhe një mjet i fuqishëm për zhvillimin estetik, gjuhësor dhe shpirtëror të lexuesit shqiptar. Këto nisma synojnë të krijojnë një ndërveprim të qëndrueshëm me literaturën ndërkombëtare, duke i ofruar lexuesit tonë një dritare të gjallë drejt mendimit poetik bashkëkohor në përmasat e tij më të gjera.
Në një botë gjithnjë e më të trazuar nga krizat politike, sociale dhe ekologjike, fjala e poetëve dhe shkrimtarëve mbetet një nga zërat më të sinqertë dhe të nevojshëm për mbrojtjen e paqes, promovimin e humanizmit dhe ndërtimin e urave të mirëkuptimit midis popujve. Poezia, si gjuhë e shpirtit dhe e ndërgjegjes, kapërcen kufijtë kombëtarë e gjuhësorë dhe kthehet në një formë rezistence estetike përballë dhunës, indiferencës dhe harresës. Në këtë kontekst, antologji si “Muza botërore në shqip” shërbejnë si instrumente të rëndësishme të dialogut ndërkulturor dhe të mbrojtjes së vlerave themelore njerëzore përmes artit të fjalës.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull