Deputeti i ‘Rithemelimit’, Tritan Shehu është i mendimit që kandidatët në zgjedhjet e 14 majit për Bashkitë, kandidatët duhet të jenë politik, teksa thekson se futen në zgjedhje për t’i fituar të gjitha bashkitë. I ftuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv Shehu ka pasur edhe një mesazh për kolegët e “PD-së tjetër”, duke thënë se duhet të bashkohen me ta e të mos humbin kohë.
“Kandidatët duhet të kenë nuancë politike, por zgjedhja përfundimtare do jetë nga primaret. Synojmë fitoren në të gjitha bashki, ka karakteristika të veçanta, beteja do bëhet për të marrë të gjitha bashkitë, pastaj kur të dalë rezultati, do shikojmë, jam optimist, i kemi të gjitha kushtet, organizimi po bëhet, mos u vononi, mos humbni kohë, ndiqni interesat politike”, tha Shehu.
Ai e cilësoi si gabim të rëndë nëse “pala tjetër”, grupi i Alibeajt do të dilte me kandidat më vetë në zgjedhjet vendore.
“Kandidatët e PD do i nxjerrin primaret, të gjithë kanë të drejtë që të marrin pjesë në primare. Nëse dikush do të dalë të kandidojë më vete , është i lirë, por gabon rëndë.
Prej pak javësh PD-ja ka hyrë në një proces negociatash, për të cilën, Shehu thotë se ngëri nuk është në bazë, por vetëm te grupi parlamentar, e për këtë arsye, ai thotë se nuk është shumë i interesuar se çfarë pritet të prodhojë tyreza Bardhi-Paloka.
“Duhet të jemi bashkë në zgjedhje dhe fushatë protestash. Ka një ndarje në grupin parlamentar dhe jo në bazë dhe kjo nuk është gjë e mirë, por kjo duhet tejkaluar që çdo deputetë të marrë pozicionet. Ato që janë në një pozicion ambig dhe i çuditshëm, deputeti duhet të ndjekë elektoratin e tij.
Ka ardhur momenti që të marrin pozicionet e tyre politike, të dialogojnë, të gjykojnë dhe të marrin vendime politike dhe të shkojmë në zgjedhje, do futemi në një cikël protestash të forta, vjen një palë apo jo. (…) Nuk jam interesuar për negociatat, më intereson më shumë baza dhe u them kolegëve që nuk është fjala më për të zgjatur diskutimet, problemi është i qartë kush do të kandidojë të futet në primare”, përfundoi Shehu në studion e Report Tv.
Në një kohë kur presidenti Bajram Begaj dekretoi ditën e sotme, 14 majin si datën e ‘vendoreve’, demokratët ende nuk kanë një strategji të qartë se si do të futen në këto zgjedhje.