Hap dyert shkolla “Angela Merkel” në Kamëz – një investim gjerman për arsimin dhe qëndrueshmërinë

2 Minuta Lexim

Një sinjal i fortë për arsimin dhe qëndrueshmërinë u dha në Kamëz, ku u çel zyrtarisht shkolla e re “Angela Merkel”, e ndërtuar me mbështetjen e qeverisë gjermane.

Me kapacitet për 1.300 nxënës, kjo shkollë është një nga më të mëdhatë në vend, duke ofruar klasa moderne, bibliotekë, palestër qendrore, hapësira të gjelbra dhe një koncept arkitektonik të hapur që nxit shkëmbimin dhe frymëzimin.

Projekti është pjesë e programit gjerman të rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019, përmes të cilit qeveria federale gjermane, nëpërmjet Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), ka financuar me 14,5 milionë euro ndërtimin e tre shkollave të reja në Shqipëri.

Shkolla “Angela Merkel” është gjithashtu një model i ndërtimit të qëndrueshëm, me panele diellore dhe planifikim inovativ që redukton me mbi gjysmën konsumin e energjisë, duke dhënë një kontribut konkret në mbrojtjen e klimës.

Gjatë vizitës së tij bashkë me ministren e Arsimit Ogerta Manastirliu, i Ngarkuari me Punë i Ambasadës Gjermane në Shqipëri, Thilo Schroeter, e cilësoi këtë shkollë “një simbol të qëndrueshmërisë dhe rinovimit”, duke theksuar se nga një krizë e rëndë mund të lindin shpresë dhe mundësi të reja.

“Jam krenar që Gjermania ka qenë në krah të Shqipërisë në këtë rrugë të rindërtimit,” tha ai, duke iu drejtuar veçanërisht fëmijëve se shkolla është një investim për të ardhmen e tyre, arsimimin, ëndrrat dhe aftësinë për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë në zemër të Evropës.

Në përfundim, Schroeter ritheksoi angazhimin e Gjermanisë për të mbështetur Shqipërinë në zhvillim, reforma dhe integrimin evropian.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull