Rruga Egnatia e rrethuar me asfalt, Tare: Kërcënohet nga indiferenca e shtetit! Të rikthehet sistemi i vjetër i menaxhimit të trashëgimisë kulturore

6 Minuta Lexim

Asfaltimi në të dy anët e rrugës Egnatia nga bashkia e Peqinit ka shkaktuar debat. Studiuesi Auron Tare, i cili denoncoi edhe ndërhyrjen, tha në një intervistë për Report TV se rruga historike nuk kërcënohet nga bashkia, por nga indiferenca prej dekadash e shtetit ndaj kësaj trashëgimie kulturore. Sipas tij, rruga mund të kthehet në një aset ekonomik nëse i kushtohet rëndësia e duhur.

“Via Egnatia nuk kërcënohet nga bashkia e Peqinit, por heshtja dhe indiferenca prej dekadash e shtetit shqiptar. Bashkia e Peqinit apo kryetari i bashkisë jam i bindur se ka dashur të bëjë diçka dhe duke qenë se është aq kapaciteti i bashkisë ka bërë një çorap, por në heshtjen e madhe institucionale të të gjithë hallkave, askush nuk ka bërë asgjë këto vite. Nuk kërcënohet nga bashkia, por indiferenca, mosdija dhe moskokërçarja e administratës, e cila nuk e kupton dot rëndësinë e madhe që ka kjo rrugë si në aspektin historik dhe turistik që mund të kthehet në një aset ekonomik.”, u shpreh studiuesi.

Sipas tij, dëmtimi i rrugës është i shtrirë në kohë për faktin se është lënë në harresë me vite. Ai përmendi edhe dy raste në Durrës të rrënimit të trashëgimisë kulturore, teksa tha se në ato vende janë ndërtuar një kafene dhe dy pallate. Tare thotë se duhet të krijohet një institucion i fortë që ruan monumentet, por një gjë e tillë nuk bëhet, sepse sipas tij, “askush do të mund të merrte tendera apo të fuste duart në trashëgimitë kulturore”.

“Rrënimi dhe dëmtimi i rrugës nuk ka ardhur tani. Në Durrës është një pallat, një kafe ku ka qenë porta e Perandorëve. Porta ku kalonin të gjithë perandorët e 2 mijë vjetëve sot është në bodrumin e një kafeneje. Më tutje ke lulishten 1 Maji, ku doli një pjesë e tregut të fundit të Romës, ku ekspertët e UNESCO-s u shprehën se është ndoshta një zbulim i madh se tregu i Pompeut. Sot aty janë dy pallate. Nuk është procesi i dëmtimit të rrugës sot, është i shtrirë në kohë. Kjo ndodh ngaqë hallkat institucionale nuk kanë interes për të kuptuar rëndësinë e saj.”, u shpreh Tare.

Tare theksoi se është e nevojshme që të rikthejmë sistemin e vjetër që përdorej në komunizëm, ku sipas tij, institucionet për ruajtjen dhe menaxhimin e trashëgimisë ishin të forta. Studiuesi cilësoi si “kancer” të trashëgimisë kulturore tenderat, teksa përmendi edhe një rast restaurues në Butrint, ku në këtë sit arkeologjik, ishin përdorur gurë të marrë në Skrapar.

“Ne duhet të kthemi urgjentisht në sistemin e vjetër që menaxhonte ruante dhe mirëmbante trashëgiminë kulturore. Mirë apo keq në komunizëm, institucionet e ruajtjes së trashëgimisë kanë qenë të forta dhe me kompetenca që kanë pasur një  “klas” europian në trajtimin e trashëgimisë kulturore. Para 20 vitesh në Butrint, kam pasur të ftuar disa specialistë nga Anglia që dëgjuan punëtorët e asaj kohe për Butrintin që tregonin mënyrën e mirëmbajtjes së tij dhe më dhanë një këshillë: Mos e prish këtë sistem se është i mirë. Çfarë ndodhi? Filloi dhe u fut procesi i tenderave. Nëse do të restauroje muret e Butrintit, për 2 mijë vjet merrej guri nga 5-6 km më tutje në guroren e Butrintit. Me tender guri vinte nga Skrapari. Në një tender të vitit 2006, një pjesë e shëtitores së Butrintit është me pllaka nga Skrapari. Futja e tenderit në trashëgimi ishte kancer. Më vonë, në këto 10 vitet e fundit, ka filluar edhe pjesa e OJF. Marrin fonde dhe nuk bëjnë asgjë. Pas 2005, kur jam larguar, i gjithë restaurimi i Butrintit, por jam i bindur që para ca kohësh edhe monumenti i Urës së Mesit në Shkodër bëhet me gëlqere që merret në supermarket. Restaruimet kanë kritere, janë shkencë.”, shtoi ai.

Kritikoi gjithashtu edhe “mburrjen” me numrin e lartë të vizitorëve në sitet arkeologjike, duke thënë se numrat nuk tregojnë progres por në fakt dëmtojnë sitet që nuk janë restauruar.

“E para, numri i madh i vizitorëve në një sit që nuk është i restauruar e prish momunentin dhe dëmton eksperiencën. Në Butrint, Bylis apo në Gjirokastër, ku është një tallava e tmerrshme nëpër Pazar. Syri i Kaltër është një dramë, një parking gjigant, një rrjesht i madh me tezga dhe më pas pjesa e pyllit e djegur. “

Më herët, pas denoncimit për ndërhyrjen me asfalt, kryebashkiaku i Peqinit Bukurosh Maçi refuzoi kritikat dhe pretendoi se asfaltimi i dy anëve të rrugës ishte restaurim në të mirë të ekzistencës së mëtejshme të Via Egnatia. Për Report TV ai i cilësoi kritikat si keqdashëse, duke thënë se përveç shfrytëzimit për turizëm, rruga përdoret edhe nga banorët e zonës.

Një ditë më parë, reagoi edhe Qëndresa Qytetare, e cila teksa shprehu kritika për heshtjen e institucioneve, tha se kjo pasuri kulturore duhej të ishte një nga atraksionet më të vizituara turistike në Ballkan. Sipas organizatës, ky gjerdan i trashëgimisë kulturore është lënë në mëshirë të vizionit të kryebashkiakut të Peqinit.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull