Pse kërcënimet e Putinit për përdorimin e armëve bërthamore janë më të rrezikshme se kriza e raketave kubane

7 Minuta Lexim

“Edhe një herë shëtita në qytet për të parë për herë të fundit si është të jetosh në paqe”.

Pikërisht më erdhi në mendje ky citim nga libri i Stefan Cvajg verën e kaluar kur isha në rajonin francez të Normandisë. Cvajgu kishte filluar të shkruante kujtimet e tij në vitin 1934, ndërsa kërcënimi nazist po përhapej kudo.

A po jetonim verën tonë të fundit në paqe?

Funerali i Edward VII në 1910 i parapriu shpërthimit të Luftës së Parë Botërore që zgjati 4 vite.

A mund të ndodhë që funerali i stërmbesës së tij, Elizabeth II, t’i paraprijë  shpërthimit të Luftës së Tretë Botërore?

Ende nuk e dimë se çfarë do të ndodhë por ky skenar duket më afër se kurrë. Por Vladimir Putin sapo ka çuar luftën në një nivel të ri dhe dukshëm ka përshkallëzuar konfliktin.

Rusia është poshtëruar në frontin ushtarak, gjithnjë e më shumë e izoluar në frontin diplomatik, e braktisur edhe nga aleati i saj më i afërt, Kina, dhe është kritikuar nga India, raporton abcnews.al.

Putin nuk ka zgjidhje tjetër veçse të bëjë atë që di të bëjë. Ai ka akuzuar kundërshtarët e tij se duan ta trajtojnë Rusinë siç e trajtuan BRSS në të kaluarën.

Dhe, mbi të gjitha, ai vazhdon të kërcënojë se do të përdorë armët bërthamore, duke thënë se nuk po luan bllof.

Kennedy dhe Hrushovi ishin racionalë

Putin synon të aneksojë territoret në verilindje dhe jug të Ukrainës, të cilat trupat ruse nuk mund t’i mbajnë më ushtarakisht. Pavarësisht legjitimitetit të veprimeve të tij, mesazhi i tij është i qartë. “Pasi të bëhen pjesë e Rusisë, unë do t’i mbroj këto territore të shenjta me të gjitha mjetet, përfshirë ato jokonvencionale.”

Gjatë Luftës së Ftohtë, qëllimi kryesor i forcave bërthamore amerikane në Europë ishte balancimi i forcave konvencionale të BRSS.

Sot, armët jokonvencionale të Rusisë duket sikur kanë për qëllim të balancojnë epërsinë konvencionale të Ukrainës, që sigurisht është ndihmuar shumë nga aleatët e saj perëndimorë.

Në të vërtetë, kriza e vazhdueshme ka filluar të duket si më e rënda që bota ka përjetuar që nga kriza e raketave Kubane në tetor 1962.

Por 60 vite më parë, bilanci i terrorit kishte rregullat e veta, të cilat njiheshin dhe kuptoheshin mirë nga aktorët kryesorë të tij. Jo vetëm që Kennedy dhe Hrushovi ishin racionalë, por ata ishin plotësisht të vetëdijshëm për rrezikun e përdorimit të armëve bërthamore.

Ata i përkisnin një brezi që ende kishte në mendje imazhet e tmerrshme të Hiroshimës dhe Nagasakit.

Një kumarxhi

Por diçka e tillë nuk vlen për Putinin sot. Ai është një kumarxhi që dëshiron të kompensojë humbjen e bastit të tij fillestar me një lëvizje të guximshme që nuk është më racionale.

Dhe, ndryshe nga Hrushovi, Putini nuk ka moral. Përballë kërcënimit të Putinit, ne nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të jemi të vendosur dhe absolutisht të qartë.

Madje është e kotë edhe thirrja e Turqisë dhe Katarit në OKB për të vazhduar negociatat.

Për çfarë duhet të negociosh?

Nuk ka asgjë për të negociuar. Rusia vuri bast për forcën dhe humbi. Një ditë pas njoftimit të Putinit për mobilizimin e pjesshëm, të gjitha biletat e avionit u shitën madje në shifra marramendëse.

Madje kishte bllokime dhe radhë të gjata trafiku në kufi me Gjeorgjinë. Të rinjtë rusë më të arsimuar nuk duan të vdesin për luftën e Putinit. Ata po largohen me nxitim nga një vend që tani i tremb.

Lufta në Ukrainë po bëhet për Rusinë ajo që ishte Lufta e Vietnamit për Shtetet e Bashkuara në fund të viteve 1960.

Epoka e post-Putinit

Ky nuk është fillimi i shekullit të 18-të. Putini nuk është Pjetri i Madh, Zelensky nuk është Charles XII i Suedisë. Rusia nuk ka 20 vite që ta kthejë situatën ushtarake në favor të saj, siç kishte gjatë “Luftës së Madhe Veriore”.

Bota nuk mund të pranojë të jetojë nën hijen e luftës totale, me kostot e saj të mëdha ekonomike, financiare, etike dhe një numri të një madh të viktmave. Bota nuk mund të përkulet para Putinit. Në fakt, sjellja e tij vetëm sa përforcon të gjithë ata që nuk mund ta pranojnë idenë që Irani të bëhet një fuqi bërthamore.

Me kërcënimet e tij bërthamore, ai po luan kumar edhe me mbijetesën e planetit. Në fund të viteve 1960, një nga mendimtarët kryesorë strategjikë të Francës, gjenerali Pierre Marie Gallois, kishte një ide “brilante”, raporton abcnews.al.

Për të siguruar paqen botërore, ai mendoi se ishte e përshtatshme që vendet të kishin akses në armët bërthamore. Ky propozim u përshkrua nga mendimtari politik Raymond Aron si “një model i përsosur i delirit logjik”.

Është një formulë, mençuria e së cilës mund të vlerësohet plotësisht sot. Në fakt, gjithçka po ndodh sikur Putini nuk ka zgjidhje tjetër veçse të përshkallëzojë luftën, pasi ai ndihet gjithnjë e më i izoluar ndërkombëtarisht dhe gjithashtu për shkak të kritikave virulente nga ultra-nacionalistët.

Por me kërcënimet e tij për përdorimin e armëve bërthamore ai po luan edhe me mbijetesën e planetit, duke e bërë Rusinë jo vetëm “Perandorinë e së Keqes”, por edhe “Perandorinë e Çmendurisë”.

Kërcënimi i Kremlinit duhet marrë seriozisht dhe i vetmi përfundim që mund të nxirret prej tij është që “siguria dhe stabiliteti i botës kërkojnë një tranzicion në epokën pas Putinit.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull