Prokuroria në Durrës kanë ndërmarrë një aksion të zgjeruar në kuadër të hetimeve pasurore që lidhen me veprimtarinë kriminale në fushën e narkotikëve, duke sekuestruar një numër të konsiderueshëm pasurish të luajtshme dhe të paluajtshme.
Me urdhër të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Durrës, janë vendosur në sekuestro preventive 33 apartamente, 15 automjete dhe 9 njësi shërbimi, që dyshohet se i përkasin shtetasit Arban Lamka. Sipas hetuesve, këto pasuri nuk justifikohen me të ardhura të ligjshme dhe dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti i paligjshëm në trafikimin e narkotikëve. Hetimet po zhvillohen në kuadër të një procedimi pasuror të regjistruar në vitin 2025. Gjatë verifikimeve, autoritetet kanë konstatuar se Lamka ka qenë i përfshirë në veprimtari kriminale dhe ka ndërtuar një portofol pasuror të konsiderueshëm, i cili është tashmë objekt sekuestroje.
Pasuritë e bllokuara përfshijnë apartamente me sipërfaqe të ndryshme në një kompleks banimi në lagjen Nr.13, Plazh, Durrës. Ndër to ka apartamente që variojnë nga 63 m² deri në 100 m², të shpërndara në disa kate të ndërtesave. Gjithashtu, janë sekuestruar edhe një tarracë prej 400 m² në katin e sipërm të pallatit, katër dyqane me sipërfaqe totale 280 m² dhe katër garazhe me të njëjtën sipërfaqe.
Në listën e pasurive të sekuestruara përfshihen edhe 15 automjete të llojeve të ndryshme, të cilat sipas Prokurorisë, janë gjithashtu pjesë e aseteve të përfituara në mënyrë të dyshimtë.
Autoritetet bëjnë me dije se hetimet mbi origjinën e këtyre pasurive janë ende në vijim dhe se do të ndiqen të gjitha rrugët ligjore për konfiskimin e tyre nëse faktohet se janë produkt i veprimtarisë së jashtëligjshme.
Ky operacion është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të institucioneve ligjzbatuese për të goditur pasuritë e vëna në mënyrë të paligjshme dhe për të shkëputur lidhjet financiare të grupeve kriminale.