Ka vijuar me debate seanca e sotme plenare dhe shkak janë bërë Komisionet Parlamentare dhe Rregullorja e Kuvendit, të cilat, sipas opozitës, nuk janë diskutuar më parë me të.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi është ngritur kundër propozimit për ndryshimin e rregullores së Kuvendit.
Bardhi është shprehur se nuk mund të ndryshohet rregullorja se disa prej anëtarëve të PS-së nuk kanë arritur të marrin një post në Këshillin e Ministrave.
“E keni nisur me shkelje të rregullores. Qytetarët duhet të dinë pse po ndryshon rregullorja e Kuvendit. Nuk është motiv ndryshimi i rregullores se disa prej kolegëve të mazhorancës nuk iu gjet vend në Këshillin e Ministrave dhe duhet t’i gjejmë punë si kryetar komisionesh. S’kemi ku të çojmë Fatmir Xhafën dhe hajde miratojmë një komision të posaçëm që do të bëhet superkomisioni që do të mbikqyri gjithë legjislacionin në fuqi”, tha Bardhi.
Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho është shprehur se në asnjë vend të BE-së nuk kalon pa debat miratimi i ndryshimeve të rregullores së Kuvendit.
“Vendimet e juaja janë në kundërshtim me Kushtetuën. Të vijmë në këtë seancë për duke shkelur Kushtetutën, është pak të thuash sesa fallco ka qenë ai betim i deputetëve. Çfarë kuptimi ka të diskutohet rregullorja e Parlamentit në një ndryshim strukture që synon shkrirjen e komisionit të Integrimit, dhe më jepni një rast që opozita ka penguar procesin e integrimit.
Mesazhi i këtij parlamenti duhet të ishte gjithëpërfshirja, shoqërisë civile e mediave. Gjithë ky diskutim për strukturën më të rëdnësishme të Kuvendit të kalojë në mënyrë të përshpejtuar dhe pa asnjë debat në parlament. Na thuaj një vend në BE që në synojnë të anëtarësohemi që nuk ka debat për rregullat e një parlamenti.
Kryetar zbatoni Kushtetuën zbatoni rregulloren dhe tërhiquni nga ky vendim i padrejtë”, tha Xhixho.
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, pasi u kthye nga pushimet në SHBA, ku bëri shumë foto për t’i bërë presion gjykatës për çështjen Gërdeci dhe për t’i thënë se është njëri i amerikanëve, i ka bërë thirrje mazhorancës që të tërhiqet nga ndryshimet e njëanshme të rregullores së Kuvendit, duke shfaqur shqetësimin e tij për shkeljen e Kushtetutës
“Ky Kuvend duhet ta nisë punën duke menduar për autoritetin që duhet të ketë Kuvendi i Shqipërisë. Jemi kthyer në një republikë kryeministrore, autokraci e dukshme Pushteti absolut, pjell korrupsion absolut. Historia e rregullores së Kuvendit, ka qenë histori mirëkuptimi politik. Dua të kujtoj që kjo nuk është salla e vetme e këtij Kuvendi. Kur është bërë rregullorja, kanë qenë bashkëkryetarë Ylli Bufi dhe Fatmir Beja me përfshirjen e partnerëve dhe gjithë deputetëve. Ndryshimi njëanshëm krijon precedent negativ. Mendoj që kjo shkelje e kushtetutës për ta futur me procedurë të përshpejtuar dhe kërkoni të ndryshoni në mënyrë të njëanshme është e gabuar dhe duhet të kthehemi tek diskutimi i përbashkët”, tha Mediu.
Deputeti i PD, Tritan Shehu akuzoi mazhorancën se po bën grusht kushtetues me ndryshimet që kërkon të miratojë në rregulloren e Kuvendit. Shehu tha në fjalën e tij se Kuvendi nuk është i autokratit, por i Shqipërisë.
“Po bëni grusht kushtetues, po shkatërroni kushtetutën,. Po vini Shqipërinë mbi baza antikushtetuese, ndodhi kjo gjë me dekretin e Begajt, një dekret antikushtetues dhe po vazhdoni duke shkelur kushtetutën, nuk vrapohet duke shkelur kushtetutën, nëse doni të shkojmë në Europë duhet të respektojmë si të shenjtë kushtetutën. Nuk është parlamenti i autokratit, por i Shqipërisë”, tha Shehu.
Deputeti i Partisë Socialiste Blendi Klosi i është kundërpërgjigjur kolegëve demokratë, të cilët kundërshtojnë miratimin e ndryshimit të rregullores së Kuvendit.
Klosi është shprehur se qeveria nuk ka asnjë ditë për të humbur me debate që u dihet përfundimi, pasi fokusi i tyre është përmbushja e kritereve europiane dhe anëtarësimi i Shqipërisë në BE.
“Kolegët që folën janë me eksperiencë e ditë sesi funskionon parlamenti. Ashtu siç e ditë që kjo mazhorancë ka ardhur me votën legjitime të shqiptarëve më 11 maj. Do të bëjë reformat e saj, të gjitha aksiomat e saj për t’i shërbyer më mirë Shqipërisë.
Është bërë një diskutim për mënyrën sesi do të funksionojë jeta jonë parlamentare, për të përmbyllur objektivin tonë madhor. Brenda 2027 do të mbyllim negociatat Sot ndodhi një nga këto hapat, brenda 2030 do ta çojmë Shqipërinë në BE. Në shërbim të këtij betimi ne do të ecim shpejt.
Gjëja që këta nuk e kuptojnë, ajo që kërkojnë sot nuk është të fillojë shpejt jeta parlamentare, por kërkojnë hajde ta shtyjmë dhe 10 ditë s duam dhe 10 ditë diskutime e pushime. Ne nuk kemi kohë për të humbur. Nuk i kemi a 7 ditë për të humbur për një diskutim që ia dimë rezultatin. Le të vijnë në komisione dhe të punojnë në komisione”, tha Klosi.