Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, do të dëshmojë për ditën e tretë rradhazi në Gjykatën Speciale në Hagë, në rastin ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ish-zyrtari amerikan dhe njohës i mirë i zhvillimeve në Kosovë gjatë luftës, në dëshminë e dhëna gjatë këtyre dy ditëve, ka insistuar se UÇK-ja nuk ka pasur strukturë komanduese.
Një ditë më parë, ai shprehu kritika ndaj gjykatës për paraburgimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, të cilët mbahen në qeli që prej 2020-ës me akuzën e krimeve të luftës. Ai e cilësoi të padrejtë vendimin e Speciales për mbajtjen për pesë vjet në paraburgim të të akuzuarve, të cilët, sipas tij, u dorëzuan vullnetarisht dhe nga ana tjetër kanë bashkëpunuar me Prokurorinë.
Rubin tha se UÇK fitoi kredibilitetin e SHBA pasi firmosi marrëveshjen e Rambujesë dhe të paqes, pasi deri atëherë e shihnin si një organizatë terroriste duke mos patur mjaftueshëm informacione për veprimtarinë dhe strukturën e saj.
Të hënën, ai rrëfeu se Thaçi bashkëpunoi me perëndimin në Rambuje dhe në marrëveshjen e çmilitarizimit të UÇK. Sipas Rubin, ai u pa nga SHBA si një lider ndërsa kujtoi telefonatën e presidentit Bill Klinton që vlerësoi Thaçin për mbështetjen ndaj tolerancës dhe demokracisë. Ish-zyrtari tha se agjencitë amerikane nuk gjetën prova për krime.
Mbrojtja e Thaçit parashikohet të zgjasë për të paktën një muaj e gjysmë dhe rreth javës së dytë të nëntorit pritet të kenë përfunduar edhe dëshmitë që do të jepen nga ana e palës mbrojtëse për të katërt të akuzuarit.
Aktakuza pretendon se Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi kryen krime nga marsi 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.