DIELLA DHE HIJA E SË SHKUARËS

6 Minuta Lexim
Nertil Jole-
Programi i qeverisë së Kryeministrit Rama për mandatin e katërt, i miratuar sot në Kuvend, përcakton synimet e 4-vjeçarit të ardhshëm në kuadër të arritjes së objektivit madhor të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda vitit 2030.
Qysh nga momenti i shpalljes së qeverisë së re, “Diella” rezultoi ministrja më e përfolur, e cila pati jehonë edhe nga media ndërkombëtare, duke u vlerësuar si një risi në kohën kur Inteligjenca Artificiale (AI) është kthyer në kryefjalë të zhvillimeve teknologjike.
Kompanitë e mëdha të teknologjisë amerikane si Google, Nvidia, Microsoft, kanë planifikuar investime me vlerë dhjetëra miliardë paund në Mbretërinë e Bashkuar për infrastrukturën dixhitale, duke e kthyer këtë vend në një “superfuqi e inteligjencës artificiale”, pas SHBA dhe Kinës. Këto investime janë pjesë e një marrëveshjeje prej 31 miliardë paundësh, të quajtur “Marrëveshja e Prosperitetit Teknologjik”, midis qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe gjigantëve të teknologjisë amerikane, si pjesë e vizitës së dytë shtetërore të Presidentit Donald Trump në Mbretërinë e Bashkuar.
Është fakt se AI po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e jetës së përditshme kohët e fundit. Kjo risi e paimagjinueshme deri jo shumë kohë më parë, lejon kompjuterët të përpunojnë sasi të mëdha të dhënash, të identifikojnë modele e ndjekin udhëzime të hollësishme lidhur me administrimin e informacioneve të çdo lloj natyre e fushe, duke i ardhur gjithmonë në ndihmë njeriut.
Sigurisht që kompjuterët nuk mund të mendojnë, as të empatizojnë apo arsyetojnë si njeriu, por teknologjia në fjalë ka zhvilluar sisteme që mund të kryejnë detyra të cilat zakonisht kërkojnë shumë kohë fizike njerëzore, duke burokratizuar dhe mekanizuar mënyrën se si njerëzit i përdorit njohuritë e tyre. Ndërkohë që e gjithë kjo energji, duhet shpenzuar për të aplikuar qasje strategjike e largpamëse të të menduarit, duke shkurtuar kohën impenjative të njeriut me procese të shumta rregullatore, lehtësuar burokracinë e sistemit të administratës publike dhe shpejtuar realizimin e projekteve që sjellin ndikime të drejtpërdrejta për zhvillimet socio-ekonomike, të cilat kanë si synim rritjen e mirëqënies në shoqëritë tona.
I mirëkuptoj të gjithë ata që shfaqin skepticizëm lidhur me risinë “Diella”, ministren AI të ngarkuar me prokurimet publike dhe avancimin e agjendës të mirëqeverisjes dixhitale. Por mjafton edhe kaq vëmendje sa ajo mori pa filluar ende punë, për të provokuar trajta të reja të të menduarit në lëmin e ofrimit të shërbimeve qeveritare.
Legjislacioni i BE-së për Inteligjencën Artificiale ka të vendosura kontrolle rigoroze mbi sistemet me rrezik të lartë të përdorura në fusha të tilla si arsimi, kujdesi shëndetësor, zbatimi i ligjit ose zgjedhjet. Megjithatë, përdorimi i racionalizuar i kësaj risie të teknologjisë, sigurisht vjen edhe me shumë dobishmëri, siç është shmangia e gabimit njerëzor në vendimmarrje si dhe evitimi i padrejtësisë burokratike të këtyre vendimmarrjeve. Padyshim, prova e suksesit të Diellas do të jenë rezultatet e saj, të cilat besoj do zbusin në të ardhmen paragjykimet e së tashmes.
Sa për ilustrim, Estonia (një vend edhe më i vogël se Shqipëria) ka sot të dixhitalizuara 100% të shërbimeve të saj qeveritare. Kjo arritje e ka pozicionuar Estoninë si një lider global në qeverisjen dixhitale, duke u kthyer në një rast referimi për shtetet e tjera. Sistemi i prokurimit elektronik publik aty është i projektuar të jetë transparent, efikas, i sigurtë dhe i aksesueshëm në çdo hap. Pra, platforma mbulon të gjithë ciklin e proceseve të prokurimit, nga planifikimet fillestare deri te lidhja e kontratave, duke krijuar në këtë mënyrë një përvojë dixhitale të monitorueshme në kohë reale nga të gjitha subjektet e interesuara.
Ndaj, Diella e meriton një mundësi, për sa kohë ajo do të punojë pa u lodhur fare çdo 24 orë, pa u korruptuar dhe pa patur shqetësimin se eprori i radhës do ta shkarkojë nga detyra për “mungesë performance”.
Ndërsa Hija e së Shkuarës, natyrisht ka gjithë të drejtën për t’i bërë oponencë misionit të Diellës dhe qeverisë në këtë mandat të katërt. Pavarësisht pozicionit të tyre antagonist si palë e minorancës parlamentare, mendoj se ambicja e kohës na imponon të gjithëve të japim shembullin më të mirë në shërbim të njerëzve, ku si mazhoranca dhe opozita, bashkë me gjithë armatën e nëpunësve publikë të këtij shteti, të ushtrojnë me përgjegjësi të lartë e patriotizëm pushtetin dhe detyrat që njerëzit iu kanë deleguar, për të shtyrë përpara me ritëm reformat e domosdoshme dhe jetësuar ndryshimet e shumëpritura.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull