Belshi bëhet qendër kombëtare e mendimit dhe kulturës; Flutura Açka, Shaban Sinani dhe Aleksandër Çipa nderohen me çmimin prestigjioz “Sami Frashëri”

6 Minuta Lexim

Nga Fatmir Popja

Gjatë një ceremonie mjaft të veçantë të zhvilluar sot në qytetin e Belshit, u ndanë Çmimet “Sami Frashëri” për vitin 2025, një nismë vjetore e Bashkisë Belsh, e cila synon të vlerësojë figura të shquara të letërsisë, mendimit shkencor dhe publicistikës shqiptare. Ky çmim, i mbështetur mbi një vendim të Këshillit Bashkiak të Belshit, po kthehet në një traditë të re kulturore në hartën kombëtare të çmimeve prestigjioze shqiptare.

Juria, e përbërë nga personalitete të njohura të botës akademike dhe kulturore si Prof. Viola Isufaj, Prof. Gëzim Hoxha, Studiuesi Behar Gjoka, Muzikologu Naim Gjoshi dhe kryetar jurie z. Namik Dokle, pasi shqyrtoi me kujdes kandidaturat e paraqitura, shpalli fituesit në tre kategori kryesore dhe një çmim të veçantë pas vdekjes.

Çmimi për Letërsi iu akordua znj. Flutura Açka, për vëllimin me tregime “Tulipanë të vonuar”. “Për lëvrimin me sukses të gjinisë së tregimit, duke trajtuar me origjinalitet dukuritë që kanë ngërthyer shoqërinë në dekadat e fundit, për kujdesin e rrokshëm dhe ruajtjen e njerëzores në krijimtarinë e saj.

Flutura Açka, e cila për shkak të një angazhimi jashtë nga Kalabria, u shpreh: “Ky çmim ka një vlerë të veçantë për mua, jo vetëm për emrin që mban Sami Frashëri, një mendje e ndritur shqiptare, por edhe sepse vjen nga një vend i vogël me zemër të madhe, si Belshi. Është një nder dhe një përgjegjësi për të vazhduar të shkruaj për njeriun, për plagët dhe bukurinë e tij.”

Çmimi për Studime Albanologjike iu dha z. Shaban Sinani, për veprën “Studime antropologjike në etnokulturë”, për “Kontribut madhor në fushën e shkencave humane shqiptare, me qasje ndërdisiplinore që ndërthur antropologjinë kulturore, etnologjinë, historinë e ideve dhe letërsinë, duke ofruar një tablo të re mbi identitetin shqiptar dhe ndërveprimet e tij me hapësirën ballkanike dhe europiane.” 

Shaban Sinani tha në fjalën e tij se: “Ky çmim është një inkurajim për të gjithë ata që besojnë se identiteti shqiptar është një mozaik i thellë kulturor, që meriton të studiohet me përkushtim. Falënderoj jurinë dhe Bashkinë Belsh për këtë vlerësim që nderon punën shkencore në fushën e albanologjisë.” 

Çmimi për Publicistikë iu dha z. Aleksandër Çipa me motivacionin: “Gazetar i talentuar dhe vëzhgues skrupuloz i fenomeneve shoqërore, drejtues me profesionalizëm në media të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit dhe si kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, i përkushtuar në mbrojtjen e fjalës së lirë dhe të drejtave të gazetarëve.

Me rastin e marrjes së këtij çmimi, Aleksandër Çipa tha se: “Ky çmim është një kujtesë se fjala e lirë është themeli i çdo shoqërie demokratike. Është një nder që vlerësimi im vjen në emër të Sami Frashërit, figurës që i dha gjuhës dhe mendimit shqiptar një dimension europian. Faleminderit Belshit që nderon kështu gazetarinë e angazhuar.” 

Çmim i Veçantë (pas vdekjes) iu akordua të ndjerit Aristir Lumezi. Motivacioni i jurisë: “Gazetar i talentuar, drejtues i përkushtuar i disa mediave, mik dhe kërkues i së vërtetës, i suksesshëm por i pabujshëm, i drejtë dhe i ndershëm, i sinqertë dhe fisnik, cilësi që karakterizuan edhe krijimtarinë e tij publicistike.

Çmimi iu dorëzua familjarëve të tij, të cilët falënderuan me emocion për vlerësimin, duke kujtuar integritetin dhe pasionin e Lumezit për gazetarinë e ndershme.

Kryetari i Jurisë, z. Namik Dokle, nga ana e tij, në mbyllje të Edicionit të Dytë u shpreh se: “Çmimi ‘Sami Frashëri’ është një homazh për dijen, mendimin e lirë dhe përkushtimin ndaj fjalës së shkruar dhe të folur. Ne jemi krenarë që Belshi, ky qytet turistik i qetë dhe mjaft i bukur, por me frymë të thellë kulturore, i jep Shqipërisë një çmim me vlera kombëtare. Ky nuk është vetëm një event ceremonial, është një manifestim i respektit ndaj vlerave që mbajnë gjallë identitetin tonë.” Një nismë që po kthehet në traditë kombëtare.

Me këtë ceremoni, Bashkia Belsh dëshmon se edhe jashtë qendrave të mëdha urbane, kultura dhe vlerësimi i mendimit kanë vendin e tyre të nderuar. Çmimi “Sami Frashëri” po fiton gjithnjë e më shumë prestigj, duke afruar vëmendjen e opinionit publik dhe komunitetit intelektual në mbarë vendin. Arif Tafani, Kryetar i Bashkisë Belsh, organizator i eventit, shprehu krenarinë që Belshi është bërë sot një strehë e vlerësimit për figurat më të shquara të mendimit, artit dhe gazetarisë shqiptare.

“Çmimi ‘Sami Frashëri’ është më shumë se një trofe, është një dëshmi e përkushtimit tonë për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore dhe intelektuale të kombit. Ky është një projekt që e nisëm me besimin se qytetet e vogla mund të bëjnë gjëra të mëdha kur kanë vizion dhe dashuri për kulturën. Falënderoj të gjithë anëtarët e jurisë, fituesit dhe çdo qytetar të Belshit që e ka përqafuar këtë nismë me krenari.” 

Në këtë event kaq të rëndësishëm ishin të pranishëm personalitete të shumë fusha të ndryshme, gjimnazistë, si edhe deputetët e Qarkut Elbasan, Arbian Mazniku dhe Ermal Elezi.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull