Kriza e arsimimit qëndron pas problemit tonë të korrupsionit

12 Minuta Lexim
Nga Nancy Nazmie Hoxha-
Pse shqiptarët nuk mund të dallojnë një Diktator, apo diktatorër në përgjithësi, pasi këto 35 vitet e fundit janë më të shumtë: një përpjekje modeste për të kuptuar burimin e korrupsionit.
Studimi i historisë formon mënyrën se si ne kuptojmë botën—politikisht, shoqërisht dhe kulturalisht. Vlera e saj shkon shumë përtej mbajtjes mend të datave dhe ngjarjeve; historia na ndihmon të ndërtojmë argumente, të njohim modele, dhe në fund të formësojmë të ardhmen. Megjithatë, është e qartë se historia nuk mësohet në mënyrë uniforme në të gjithë globin.
Duke studiuar historinë, si në Shqipëri ashtu edhe në Angli, duke qenë student në University College London, ndihem thuajse e detyruar të analizoj se si sistemi arsimor shqiptar i jep prioritet të ulët studimit të avancuar historik.
Kalimi im nga arsimi i mesëm shqiptar në qasjen analitike rigoroze të UCL-së zbuloi jo vetëm metoda të ndryshme mësimdhënieje, por koncepte themelore të ndryshme të asaj që arsimi duhet të realizojë.
Ndryshe nga në Angli, historia në Shqipëri shpesh trajtohet si lëndë dytësore, e zbehtë nga shkencat dhe letërsia. Dhe ndërsa qasja e Shqipërisë ndaj shkencave është gjithëpërfshirëse, e avancuar gjerësisht dhe e suksesshme, kjo qasje arsimore ka kontribuar në një shoqëri të mbërthyer nga korrupsioni politik dhe të paaftë të marrë vendime të informuara për të ardhmen e saj, kryesisht për shkak të dështimit për të njohur modelet historike të padrejtësisë dhe tiranisë.
Qasja Shqiptare: Mbajtja mend; mbi Mendimin Kritik.
Në Shqipëri, edukimi historik tenton të përqëndrohet shumë në mbajtjen mend të fakteve dhe ngjarjeve kryesore. Studentët testohen për aftësinë e tyre për të kujtuar data dhe momente të rëndësishme—fitoret e Skënderbeut, ndryshimet e flamurit shqiptar nën okupime të ndryshme, ose rritjen dhe rënien e komunizmit.
Ndërsa mbajtja mend e fakteve themelore është e rëndësishme, ajo duhet të jetë vetëm pikënisje e historisë.
Pa inkurajuar studentët të pyesin pse ndodhën këto ngjarje ose si lidhen me çështjet bashkëkohore, historia bëhet një lëndë statike në vend të një mjeti dinamik për të kuptuar shoqërinë. Ka numër të shumtë kërkimesh që tregojnë lidhjen midis zhvillimit të mendimit kritik përmes edukimit dhe shkallëve më të ulëta të korrupsionit në një vend (Mauro, 1995; Besley & Persson, 2011). Konkretisht, analiza ndërkombëtare e Dridi-t demonstron se një rritje e vetme e njësisë në perceptimin e korrupsionit zvogëlon regjistrimin në shkollën e mesme me afërsisht 10 përqind, ndërsa kërkimi i De La Cruz Aquino zbulon se treguesit e cilësisë arsimore tregojnë korrelacion më të fortë me nivelet e korrupsionit sesa metrikat e thjeshta të aksesit në arsim.
Kërkimi i fundit arsimor shqiptar mbështet këto shqetësime. Studimi i Kraja-s së 2017-ës shqyrtoi specifikisht se si librat e historisë shqiptare kanë evoluar nga ‘faktet historike të politizuara dhe skematike në arsyetim të bazuar në fakte dhe argumente,’ megjithatë gjeti se mbeten boshllëqe të rëndësishme.
Më shqetësues është një studim i Akademisë së Shkencave të 2024-ës, i cili zbuloi se studentët shqiptarë marrin vetëm 30-40% të dijes së disponueshme në kurrikulën britanike në të cilën arsimi shqiptar supozohet të bazohet. Ky nuk është thjesht një shqetësim akademik—është një katastrofë ekonomike që pret të ndodhë.
Në kontrast me rastin shqiptar, shkollat angleze e trajtojnë historinë si shkencë sociale, duke theksuar analizën dhe interpretimin.
Si studente, jam prekur nga fokusimi që ne duhet të kemi dhe provojmë për burimet primare—gazeta, letra dhe ditarë nga periudha historike—që zbulojnë besimet dhe qëndrimet shoqërore të kohës (Wineburg, 2011; Department for Education, 2013).
Kjo qasje inkurajon debatin, mendimin kritik, dhe eksplorimin e marrëdhënieve shkak-pasojë.
Për shembull, në vend të mësimit thjesht se Lufta e Parë Botërore filloi në 1914, studentët shqyrtojnë nacionalizmin, imperializmin, dhe impaktin e tyre të qëndrueshëm në konfliktet globale. Kjo metodë jo vetëm thellon të kuptuarin, por zhvillon edhe aftësitë thelbësore për fusha si ligji, ku argumentimi dhe kërkimi janë vendimtarë.
Qasja e fokusuar në mbajtjen mend e mësimit në Shqipëri, bëhet veçanërisht problematike në epokën dixhitale, ku informacioni është i aksesueshëm menjëherë, por aftësitë e vlerësimit kritik janë thelbësore.
Ndërsa studentët shqiptarë mësojnë fakte për Skënderbeun, ata mund të mos kenë mjetet analitike për të njohur propagandën në mediat sociale bashkëkohore—një aftësi që kolegët e tyre anglezë e zhvillojnë përmes ushtrimeve të analizës së burimeve.Narracionet kombëtare kundrejt perspektivave të shumëfishtaEdukimi historik shqiptar shpesh promovon një naracion nacionalist të përqëndruar në heroizëm, rezistencë dhe unitet—duke theksuar figura si Skënderbeu dhe lëvizje kundër sundimit osman apo komunist.
Ndërsa kjo nxit patriotizmin (Kola, 2003; Bieber, 2018), mund të dekurajojë vënien në dyshim të historive zyrtare dhe të kufizojë perspektivat më të gjera, veçanërisht për tema të ndjeshme si komunizmi, gjatë periudhës se komunizmit, por dhe lidhja apo pasojat e tij në formën e korrupsionit pas 1990-ës.
Këshilli i Evropës ka lëshuar rekomandime specifike për mësimdhënien e temave kontroversale dhe të ndjeshme në histori, megjithatë siç tregon studimi krahasues i Duro-s së 2024-ës, këto rekomandime “nuk pasqyrohen plotësisht edhe pse përmendet në kornizën kurrikulare” në Shqipëri.
Në Angli, studentët studiojnë perspektiva të shumëfishta. Perandoria Britanike, për shembull, analizohet jo vetëm si simbol i forcës por edhe përmes lentës së shtypjes koloniale dhe pasojave të saj të qëndrueshme. Kjo qasje e nuancuar ndihmon studentët të kuptojnë historinë si një koleksion të vërtetave të kundërshtuara, në vend të një historie të vetme, të pakontestuar. Ajo gjithashtu lidh ngjarjet e së kaluarës me çështjet e ditëve të sotme, si luftimet post-koloniale në Afrikë dhe Azi Jugore etj.
Një boshllëk i rëndësishëm në sistemin arsimor shqiptar është mungesa e lidhjes midis studimit historik dhe realiteteve të tanishme politike. Në Angli, studentët inkurajohen të bëjnë paralelizëm midis së kaluarës dhe së tashmes—për shembull, duke krahasuar fashizmin e viteve 1930 me populizmin modern ose propagandën e Luftës së Ftohtë me fushatat e dezinformimit të sotëm.
Në Shqipëri, megjithatë, historia shpesh ndjehet e shkëputur nga çështjet bashkëkohore. Studentët mësojnë për diktaturën e Enver Hoxhës por rrallë eksplorojnë se si strukturat e regjimit të tij kontribuojnë në korrupsionin e sotëm. Eshtë pikërisht kjo shkëputje faktori që shpjegon pse gabimet historike shpesh përsëriten, dhe pse korrupsioni politik nuk arrin të provokojë indinjatën publike të parë në vende të tjera.
Implikimet ekonomike janë të habitshme. Kërkimi nga Transparency International tregon se korrupsioni në arsim jo vetëm zvogëlon rezultatet e mësimit por krijon një cikël ku ‘korrupsioni minon besimin e publikut në sistemin arsimor, duke çuar në shkallë më të larta braktisje dhe regjistrimi më të ulët’.
Për Shqipërinë, kjo përfaqëson jo vetëm dështim arsimor por stanjacion ekonomik—’një komb që përgatit të rinjtë e vet për sfidat e të djeshmes, në vend të mundësive të të nesërmes.

Konteksti Evropian më i Gjerë

Kjo ndarje arsimore ka pasoja rajonale. Ndërsa Shqipëria kërkon integrimin në BE, paaftësia e qytetarëve të saj për të vlerësuar kritikisht premtimet politike ose për të njohur modelet autoritare—aftësi të zhvilluara përmes edukimit analitik të historisë—krijon dobësi që prekin jo vetëm Shqipërinë, por stabilitetin demokratik evropian. Vende si Gjermania dhe Republika Çeke u përballën me historitë e tyre të vështira jo për të turpëruar kombet e tyre por për të ndërtuar demokraci më të forta. Ata kuptuan se pranimi i gabimeve të së kaluarës ndërton qëndrueshmëri kundrejt gabimeve në të ardhmen.

A mund të ndryshojë sistemi arsimor i Shqipërisë?

Disa mund të argumentojnë se qasja e bazuar në fakte e Shqipërisë është e nevojshme për ndërtimin e kombit. Megjithatë, mendimi kritik nuk e zvogëlon patriotizmin; ai e forcon demokracinë.
Mësimdhënia e studentëve për të vënë në dyshim naracionet historike i përgatit ata për t’u përballur me gënjeshtrat politike dhe për të kërkuar përgjegjshmëri.
Përveç konsideratave politike, është një nevojë shoqërore kjo aftësi e të pasurit gjykim të zhvilluar, pasi do t’u shërbejë atyre për të mos lejuar keqtrajtimin, qoftë në vendin e punës apo në shtëpi. Kjo lejon një ndjenjë të fortë të ‘vetes’ dhe besim që paqyshëm, nuk duhet ngatërruar me ‘besimin’ e politikanëve shqiptarë, i cili në realitet është arrogancë pa bazë.
Nuk është dobësi të pranosh të metat në kombin tënd; është dobësi t’i injorosh ato.
Reforma është e mundur pa braktisur identitetin shqiptar.
Kosova, është duke u përballur me sfida të ngjashme, por ka filluar zbatimin e rekomandimeve të Këshillit të Evropës për mësimdhënien e historisë, megjithëse zbatimi mbetet i paplotë (Duro et al., 2024).
Ndryshime të thjeshta—kërkimi nga studentët për të analizuar burimet primare, krahasimi i perspektivave të shumëfishta për ngjarjet historike, lidhja e modeleve të së kaluarës me politikën e sotme—mund të fillonin zhvillimin e mendimit kritik duke ruajtur edukimin patriotik. Vende si Anglia dhe Gjermania u përballën me kapituj të vështirë të historive të tyre—jo për të turpëruar kombet, por për të ndërtuar shoqëri më të mira. Shqipëria meriton të njëjtën mundësi.

Si përfundim: Historia si Mjet për të Ardhmen.

Historia nuk duhet të jetë thjesht për mbajtjen mend të së kaluarës; ajo duhet të na ndihmojë të kuptojmë të tashmen dhe të formësojmë të ardhmen.
Nëse Shqipëria adopton një qasje më analitike dhe kritike ndaj edukimit të historisë, të rinjtë e saj do të jenë më mirë të pajisur për të njohur korrupsionin, për të kundërshtuar propagandën, dhe për të kërkuar ndryshim kuptimplotë. Edukimi historik formon jo vetëm mendje individuale por destinime kombëtare.
Qasja aktuale e mësimit të historisë në Shqipëri mund të paraqitet e ekulibruar dhe pa vënë gishtin në plagë, por kjo nga ana tjetër nuk arrin të përgatisë qytetarët për sfidat komplekse të qeverisjes demokratike dhe integrimit evropian. Sepse në fund të fundit, mënyra se si mendojmë, formon vendin në të cilin ne jetojmë.

Referencat
1. https://digitalcommons.usu.edu/cgi/viewcontent.cgi?article=1453&context=researchweek
2. https://dergipark.org.tr/tr/download/article-file/362879
3. https://iipccl.org/wp-content/uploads/2017/01/106-110.pdf
4. https://acqj.al/en/kurrikula-britanike-zbatimi-ballkanik/
5. https://www.richtmann.org/journal/index.php/jesr/article/view/13739
6. https://www.richtmann.org/journal/index.php/jesr/article/download/13739/13297/47282
7. https://knowledgehub.transparency.org/guide/topic-guide-on-corruption-in-education/4488

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull