Evtihas nuk jeton më këtu, vetëm qeni i tij.

2 Minuta Lexim

Një shkrim homazh nga autorja greke, Patritsia Panou, që më preku thellë në shpirt dhe menjëherë e përshtata në gjuhën shqipe, për ta ndarë e ndjerë së bashku dhimbjen universale, që jetojnë miliona emigrantë dhe jo vetëm ata, kësaj bote të ferrparajsës.

Kështu e quanin… Evtiha. Askush nuk e dinte emrin e tij të vërtetë Një punëtor pakistanez, që kishte njëzet vjet që punonte në fshatin e bukur bregdetar Platania në Pelionin e jugut në prefekturën e Magnezisë. Ai jetonte vetëm me qenin e tij, që shpesh lehte fort.
E donin në fshat, e merrnin për punë të ndryshme.
Shihej sa herë në rrugë me qenin e tij ose me celular në dorë, duke folur me njerëzit e tij. Me raste pinte më shumë, ndoshta për të qetësuar atë që i dhimbte më tepër.
Kishin kaluar tre ditë që Evtiha nuk dukej askund.
Një burrë u shqetësua dhe i vajti tek shtëpia. Heshtje absolute. E thirri në celular dhe dëgjoi zilen që vinte nga brenda shtëpisë, por askush nuk u përgjigj. Hyri brenda.
Evtiha e kishte “dorëzuar” shpirtin në vendin ku punoi për njëzet vjet.
Sipër tij, pa fjalë dhe i heshtur, qeni i tij “zhurmues”, që tre ditë nuk nxorri zë, pa bukë dhe ujë.
Vetmia njerëzore, refugjati, dhimbja, shfrytëzimi njerëzor…
Për nder të tij, Bashkia e Pelionit Jugor u kujdes dhe mori përsipër gjithçka duhej për varrimin e punëtorit të huaj dhe adoptimin e qenit, i cili si gjithmonë nuk e la të zotin dhe e tregoi këtë në mënyrën më prekëse.
Mirupafshim Evtiha…
Kam shkruar dy seriale vetëm për ty.
Ti je një nga shumë të padukshmit, që me djersën tënde e bëre më pjellore tokën e braktisur greke.
Patritsia Panou
Përshtatur në gjuhën shqipe
Edmond Shallvari

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull