Në 2027-ën vihet në punë treni elektrik në hekurudhën Tiranë-Durrës-Rinas

2 Minuta Lexim

Linja hekurudhore Tiranë–Durrës–Rinas, e cila do të operojë me tren elektrik dhe shpejtësi deri në 120 km/h, pritet të nisë funksionimin në fillim të vitit 2027.

Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Hekurudhës Shqiptare, Ergys Verdho, punimet për infrastrukturën janë drejt përfundimit, me rreth 87% të punimeve të kryera.

Ai ka bërë me dije për ATSH se aktualisht po punohet për sistemet e sinjalizimit dhe telekomunikacionit.

Ndërkohë janë në zhvillim edhe punimet për ndërtimin e tetë stacioneve të reja hekurudhore përgjatë linjës, të cilat pritet të përfundojnë brenda majit 2026.

Verdho ka thënë po ashtu se është hapur gara ndërkombëtare për elektrifikimin e linjës, me synimin për të lidhur kontratën në fillim të vitit 2026.

“Plani ynë është të finalizojmë të gjithë komponentët e nevojshëm për një linjë moderne të elektrifikuar brenda vitit 2026, në mënyrë që trenat elektrikë të mund të nisin operimin në fillim të vitit 2027”.

Projekti i hekurudhës dhe lidhja me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës krijon një sistem të lidhur mirë midis dy metropoleve.

Gjithashtu siguron lidhje të shpejtë dhe të lehtë mes rrugëve, aeroportit dhe Portit të Durrësit, që është porti më i madh dhe më i rëndësishëm në rajon.

“Ky orientim është i përcaktuar në Strategjinë Kombëtare të Transportit dhe në Planin e Veprimit për Transportin Hekurudhor, të cilat synojnë modernizimin e linjave ekzistuese, ndërtimin e lidhjeve të reja dhe përafrimin e standardeve teknike, mjedisore dhe të sigurisë me ato të BE-së”, ka shtuar Verdho.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull