Mesazhi që pëshpërit Tirana!

4 Minuta Lexim
Nga Irena Beqiraj-
“Në njëqind mënyra delikate, qyteti të dërgon një mesazh: Ai mund të jetë mund të bësh më shumë; duhet të përpiqesh më shumë.” shkruan Paul Graham në esenë e tij “Qyteti edhe Ambicja “
Por jo të gjitha qytetet transmetojnë një mesazh. Shumica jo. Disa janë të heshtura, disa transmetojnë vetëm zhurmë! Një zhurmë çoroditëse.
Një qytet të flet me anë të gjërave që sheh përmes dritareve, e me anë të bisedave që dëgjon rastësisht. Sepse një qytet krijohet nga njerëzit e tij, ai përkufizohet brenda kufijve të mundësive që mund t’u ofrojë atyre: ai ka një identitet dallues që e bën atë shumë më tepër sesa një grumbull ndërtesash.
Nëse Tirana do të mund të pëshpëriste një mesazh, çfarë mesazhi përcjellë ajo?
Oh ! Tirana bërtet dhe thotë çdo ditë se nuk “je nga këtu” , se duhet të kemi frikë për të ardhmen dhe se nuk ka shpresë . Lista e plotë e mesazheve që trasmeton Tirana përfshin depresionin, kaosin, ankthin, dekurajimin, pesimizmin, mbështetjen e pamjaftueshme sociale, ndarjen e mprehtë të klasave shoqërore, trafikun dhe cilësinë e dobët e jetës.
E pra, për ndryshuar absurdin në të cilin noton ky qytet nuk na duhet domosdoshmërisht një administrator, gjithollog/e i cili mbjellë pemë rinovon parqe e sheshe publike , rikonstrukton shkollat e tregjet me pakicë , as ai/ajo që premton biblioteka utopike apo hapësira tregtare të cilat pëpiqen ta maskojnë kapitalizmin që të duket si komunitet. Nuk na duhen më shumë dokumente apo shkrime që tregojnë se si jeta qytetare dhe komunitare është lëkundur, që izolimi dhe çrregullimet mendore janë në rritje dhe gjërat vetëm sa po përkeqësohen.
Nuk na hynë në punë as fëmijët e Diellës që do të lindin në martenitetin më të ri të qytetin atë të Inteligjencës Artificiale, i cili është ndërtuar bash në zyrën e Kryeministrit. Po aq pak kemi nevojë për auditues që do të zbulojnë çka është bërë keq në të kaluarën e do të përgatisin ca dosje më shumë për SPAK , të cilin më shumë se e besojnë duket se e venë në provë.
Pa kohezionin edhe angazhimin e komuniteteve në vendosjen e prioriteteve për qeverisjen lokale përkufizimi qytet rrezikon të mos ketë më asnjë kuptim. Qyteti duhet t’u përshtatet njerëzve . Tirana nuk ka nevojë thjesht për një kryetar a kryetare por për njerëz që njohin , artikulojnë edhe adresojnë nevojat e përbashkëta . Ajo që na duhet është të fuqizojmë dhe t’u japim burime njerëzve që kujdesen pikërisht për nevojat e të tjerë njerëzve; Njerëzve që duan të krijojnë institucione sociale dhe që duan t’i gjallërojnë ato me programe në nivel publik; Njerëzve që nuk hapin thjesht kafene por vende që shërbejnë edhe si klube librash apo klasa arti ; Njerëzve që duan ta shndërrojnë sheshin e qytetit në një agora athinase ku shkëmbehen idetë, jo vetëm mallrat. Njerëzve që duan të krijojnë palestra me përgjegjësi të vërtetë sociale duke u kujdesur për mirëqenien në komunitet. Njerëzve që duan të krijojnë hapësira bashkëpunimi jo tregje për shkëmbimin e favoreve.
Tirana duam apo nuk duam është fati ynë . Ajo do të përcaktojë të ardhmen e fëmijëve tanë. Është vendi ku çlirohet kreativiteti, forcohet komuniteti dhe realizohet qytetaria jonë. Nëse duam të shpëtohemi, Tirana duhet edhe mund të jetë agjenti i ndryshimit.
Tirana pëshpërit “që ne mund dhe duhet të bëjmë shumë për njëri tjetrin “

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull