Asim Vokshi zgjidhet anëtari i ri i Gjykatës Kushtetuese, zëvendëson Holta Zaçajn

2 Minuta Lexim

Asim Vokshi është zgjedhur anëtari i ri i Gjykatës Kushtetuese. Gjykata e Lartë u mblodh sot për të zgjedhur emrin që do të zëvendësojë Holta Zaçajn si anëtare e Kushtetueses dhe Vokshi ishte i pari mes tre kandidatëve me më shumë pikë.

Është mbajtur mbledhja e përgjithshme e Gjyqtarëve të Lartë, e thirrur në orën 09:00 nga Sokol Sadushi.

Në konkurrimin për Gjykatën Kushtetuese ishin disa kandidatë, të cilët janë renditur me pikë, ku pikët më të larta i ka marrë gjyqtari Asim Vokshi.

Kështu Vokshi nga gjyqtar i Gjykatës së Lartë, tashmë zgjidhet anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Njoftimi zyrtar i Gjykatës së Lartë:

Në ambientet e Gjykatës së Lartë, u zhvillua Mbledhja e Posaçme e gjyqtarëve të kësaj gjykate, me qëllim zhvillimin e procedurës së votimit për zgjedhjen e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese.

Procesi u zhvillua në përputhje me parashikimet e Kushtetutës, ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, i ndryshuar, si dhe Rregullores së miratuar nga Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.

Në përfundim të votimit, komisioni pasi verifikoi vlefshmërinë dhe numrin total të votave për secilin kandidat, konstatoi se:

TRE NGA 6 KANDIDATËT MË TË PIKËZUAR NGA KED:
1) Asim Vokshi   89.5  pikë
2) Naureda Llagami  89.3   pikë
3) Florian Ballhysa  77.83 pikë

Komisioni kontatoi gjithashtu edhe një fletë votimi të pavlefshme. Në kushtet kur parashikimet ligjore përcaktojnë se shpallet fitues kandidati që merr 3/5 e votave të pjesëmarrësve, dhe në rastin e votimit të sotëm ku asnjë nga kandidatët nuk e arriti këtë prag, komisioni shpall fitues kandidatin e renditur të parin nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Në këto kushte, z. Asim Vokshi zgjidhet anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi për zgjedhjen e z. Vokshi i komunikohet menjëherë Kryetarit të Kuvendit, Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe do të publikohet në Qendrën e Publikimeve Zyrtare.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull