Debate te Ligjet, Bylykbashi: Dekreti për zgjedhjet e Tiranës shkelje e ligjit, është nul

2 Minuta Lexim

Komisioni i Ligjeve dhe Administratën Publike u përfshi sot nga debatet teksa në rend ditë ishte mes të tjerash zgjedhja e anëtarëve të rinj të Komisionit Rregullator të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me 3 anëtarë nga mazhoranca dhe 2 nga opozita, si dhe prjektligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve.

Ndërsa fjala hapëse u mbajt nga kryetari Ulsi Manja dhe më tej përfaqësuesi i PS-së, Damian Gjiknuri, ishte deputeti i PD-së, Oert Bylykbashi që komentoi zhvillimet e fundit politike në vend, nisur nga dekreti i presidentit në zgjedhjet e pjesshme lokale.

“Shkelja është brutale. Presidentin nuk e lënë më të ushtrojë detyrën, pamundësi për të bërë detyrën, ndaj nuk duhet të vazhdojë atë detyrë. Dekreti për zgjedhjet e Tiranës shkelje e ligjit dhe nul, e caktoi Rama! Presidenti Begaj duhet të ikë”, tha ai mes të tjerash në fjalën e tij.

Kryetari Manja i tërhoqi vëmendjen që të mos dilte nga rendi i ditës dhe i ndërpreu fjalën, kurse Bylykbashi vijoi me fjalën e tij duke thënë se kryeministri kishte ndikuar.

“Janë në shkelje të ligjit dhe afateve. Kryeministri ka ndërhyrë dhe ka caktuar datën. Por e rëndësishme është se data e dekretuar është nul, sepse kemi ende çështjen në Kushtetuese. Presidenti mund të bëjë pirueta sa të dojë. Presidenti duhet të ikë, nuk duhet ta vazhdojë më atë detyrë. Gjykata Kushtetuese nuk të fal, në raste të tjera ka vepruar menjëherë. Ka shkelje të ligjit dhe kushtetutës nga Presidenti dhe Kryeministri”, tha ai mes të tjerash.

Manja ndërhyri përsëri ndaj Bylykbashit në diskutimet e mbajtura, duke i prerë fjalën në momentin që kaluan te pika e projektligjit për menaxhimin  mbetjeve, i prezantuar nga Ministri i Mjedisit, që ishte prezent.

“Më lër të mbaroj, zbato rregulloren”, i tha Bylykbashi kreut të komisionit.

“Jo nuk ke për ta mbaruar, ke një orë që flet…”, iu përgjigj deputeti i PS.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull