“Ish-presidenti ishte urë lidhëse”, Covey vijon dëshminë në Hagë: Thaçin dhe Çekun s’i konsideroj ekstremistë të UÇK-së

5 Minuta Lexim

Jock Covey, i cili ka shërbyer si zëvendës i përfaqësuesit special të sekretarit të OKB-së, Bernard Kushner, po vijon dëshminë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ai është dëshmitari i katërt i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi i cili po gjykohet për krime të pretenduara të luftës në një rast me Jakup Krasniqin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin.

Në ditën e tretë të dëshmisë së tij në Hagë, Covey po përgjigjen në pyetjet shtesë të avokatit kryesor të Thaçit, Luka Mishetiç. Mbrojtja e pyeti atë rreth disa deklaratave të tij ku kishte thënë se marrëdhënia e Thaçit me veteranët e UÇK-së ishte “në fije të perit”.

Më pas, dëshmitari u përgjigj duke e përmendur një letër të cilën Thaçi ia kishte dërguar në atë kohë Bernard Kushnerit, përmes së cilës i kërkonte armë për disa persona që ishin pjesë e UÇK-së.

Covey tha se në atë mënyrë, ata e kishin kuptuar se Thaçi “shërbente si urë lidhëse”.

“Besoj se dje, apo të paktën këto dy ditë që kam qenë këtu kemi parë një dokument që zotëri Thaçi ia kishte dërguar Bernard Kushnerit ku kërkonte armë për disa persona të UÇK-së, ish-anëtarë të UÇK-së, dhe e dinim që në atë kohë, të paktën sipas mendimit tonë, kjo nuk duhej të ndodhte. Por ne e kuptuam që ishte një urë lidhëse, kjo ishte përshtypja jonë. Ai po kryente detyrën që ia kishin kërkuar të tjerët. Përpiqej të mbante marrëdhënie të mirë me persona që donte t’i mbronte, nuk donte t’i mërziste këta persona, pra ne menduam se pikërisht kjo sjellje u shfaq disa herë, dhe më duhet të shtoj, ky është gjykimi im, do të shtoj edhe episodin që është përshkruar në librin e Jacskon, që ka qe në shumë kohë më pas, zotëri Thaçi nuk kishte marrë shumë pjesë në negociatat mes KFOR-it dhe udhëheqësve të lëvizjes së UÇK-së”, tha ai.

“Dhe nuk më befason që ai e ndjente nevojën që ai të bënte të qartë përkrahjen e tij të fortë për udhëheqjen e UÇK-së, a do të ishte e suksesshme apo jo, kjo do të ishte diçka në vete atë kohë, unë thjesht mund të hamendësoj, por kërkesa e tij që Jackson të shkonte në qytet ta takonte asokohe, ishte shumë serioze, ishte edhe për të qeshur njëkohësisht. Por ky ishte një djalë i ri që po përpiqej të ishte i suksesshëm, ishte një situatë në të cilën i nuk kishte përvojë, ne nuk u befasuam aspak për këtë, ai përpiqej të pozicionohej pra”, shtoi Covey.

Ai tha se Thaçi “kërkonte të çimentonte pozicionin e vet”.

“Nuk mendoj se kjo cenon apo ndryshon gjykimin tonë sa i takon marrëdhënies që ai e ka pasur me komandantët e UÇK-së, dhe as nuk kontradikton gjërat që kanë thënë publikisht, ku ka avokuar për të mos pasur akte dhune, të mbroheshin pakicat”, shtoi dëshmitari.

Dëshmia e Jock Covey vjen pasi në Hagë u dëgjuan dëshmia e ish-sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ajo e ish-këshilltarit ligjor të ekipit të Kosovës në Rambuje, si dhe dëshmia e ish-diplomatit britanik John Stewart Duncan.

Paraqitja e provave të mbrojtjes nisi më 15 shtator. Mbrojtja e Thaçit ka planifikuar t’i sjell 11 dëshmitarë në tërësi, pas së cilëve pritet të dëshmojnë dy të tjerë të thirrur nga mbrojtja e Jakup Krasniqit.

Paraqitja e provave të mbrojtjes pritet të përfundojë deri në mesin e nëntorit, ndërkaq, turpi gjykues pret që ekipet mbrojtëse të dorëzojnë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi akuzohen për krime të pretenduara të luftës. Ata ndodhen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020./KosovaPress/

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull