Grupi kriminal i goditur nga SPAK pak ditë më parë, i akuzuar për vrasje me pagesë dhe tjetërsim pronash, është lënë në burg nga gjykata.
Prokuroria e Posaçme, pas hetimeve intensive, finalizoi operacionin për goditjen e organizatës së drejtuar nga Astrit Avdylaj dhe Aleksandër Laho, i njohur si Rrumi i Shijakut.
Kjo bandë prej vitesh ishte një nga më të fuqishmet në qarkun e Durrësit, ku SPAK ka mbledhur prova duke kërkuar arrestimin, pasi janë zbuluar vrasje me pagesë si dhe një serë paligjshmëri në tjetërsimin e pronave në Gjirin e Lalzit.
Këtë të shtunë para gjykatës doli Astrit Avdylaj, i cili ndodhet në qeli i arrestuar në kuadër të operacionit ‘Revanshi’, Enea Kume, vëllai i deputetit socialist Loer Kume, Vullnet Muça, vëllai i Rrumit të Shijakut, ndërkohë ky i fundit nuk është kapur. Krahas tij janë edhe dy persona të tjerë janë në kërkim.
SPAK e ka ndarë hetimin në dy çështje. Përmes zbërthimit të aplikacionit Sky ECC, është zbardhur vrasja për hakmarrje e Edmir Bregut. Sipas SPAK, Astrit Avdylaj urdhëroi ekzekutimin në shenjë hakmarrjeje për tentativën për të vrarë nipin e tij, Aldo Avdylaj.
Në këtë krim, sipas hetuesve të posaçëm ka ndihmuar edhe Enea Kume vëllai i deputetit të PS, ndërsa si ekzekutor dyshohet të jenë Alfred Doka i cili është në kërkim.
Pjesa e dytë e dosjes ka të bëjë me pronat në Gjirin e Lalzit ku SPAK ka zbardhur falsifikimet për tjetërsimin e pronave në bregdet. Disa dokumente të gjetura në automjetin e ish-prokurorit Arjan Ndoja, tashmë deputet i PD, ditën kur iu bë atentat nw nëntorin e vitit 2019 nën shoqërinë e Aleksandër Lahos, ndihmuan SPAK të zbardhte skemën e mirëfilltë të përvetësimit të pronave shtet në bregdetin e Durrësit.
Në krye të këtij grupi sipas SPAK është Rrumi i Shijakut. Ai ka falsifikuar dokumente të ndarjes së tokës në disa fshatra në Gjirin e Lalzit, madje ka arritur deri aty sa të zëvendësojë dokumentet e sakta me ato të falsifikuara në institucionet shtetërore. Disa prej këtyre pronave ishin vendosur në emër të disa qytetarëve të zonës, të cilët nuk kishin asnjë ide se ishin pronarë tokash.