Vrau gjyqtarin Astrit Kalaja, zbardhet dëshmia e autorit: Më kishte ardhur në majë të hundës, mu mbush mendja për ta vrarë kur dha vendimin kundër nesh

2 Minuta Lexim

Report TV ka zbardhur dëshminë e autorit të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja.

Elvis Shkambi mësohet se ka deklaruar se i kishte ardhur në majë të hundës me gjyqet.

Ai pretendon se nuk e kishte menduar më parë vrasjen, por kur gjyqtari dha vendimin në favor të palës tjetër, iu mbush mendja për ta vrarë.

“Më kishte ardhur në majë të hundës me gjyqet. Dëgjova që mori vendimin në favor të palës tjetër.

Unë nuk e kam menduar përpara vrasjen, por aty mu mbush mendja për ta vrarë kur dha vendim kundër nesh”, ka dëshmuar ai.

Elvis Shkambi, në momentin që gjyqtari Kalaja ka shpallur vendimin, ka nxjerrë pistoletën nga brezi dhe ka qëlluar disa herë drejt gjyqtarit.

Më pas, ai ka drejtuar armën edhe ndaj babë e bir, Ragip dhe Ervis Kurtaj, me të cilët ishin në konflikt, duke i lënë të plagosur.

Pas masakrës, 30-vjeçari ka dalë nga salla e gjyqit dhe i ka drejtuar armën edhe një nëpunësi gjyqësor që ndodhej në një tjetër sallë.

Pasi ka dalë në oborr është prangosur nga policia.

Ndaj të riut rëndojnë tre akuza: e vrasjes së funksionarëve publikë kryer në bashkëpunim, vrasje në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave e mbetur në tentativë, si dhe armëmbajtje pa leje.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull