“Illyrian Guard përgjegjëse për sigurinë jashtë orarit zyrtar”- KLGJ publikon shkresat: Kemi kërkuar prezencë të policisë në salla gjyqesh, na u tha ‘s’ka personel’

2 Minuta Lexim

Këshilli i Lartë Gjyqësor bëri publike sot shkresat zyrtare që dëshmojnë se prej kohësh ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse shtimin e prezencës së Policisë së Shtetit brenda ambienteve të gjykatave, veçanërisht gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore.

Dokumentet u bene publike pas vrasjes ne sallen e gjyqit te gjyqtarit, Astrit Kalaja.

Në deklaratën e KLGJ-së theksohet se, sipas legjislacionit (VKM Nr. 333, datë 28.04.2010, “Për ruajtjen dhe sigurinë e objekteve shtetërore”), sigurimi i gjykatave duhet të kryhet nga punonjës të Policisë së Shtetit.

Pavarësisht kërkesave per shtim te efektiveve, KLGJ thote se Policia e Shtetit i ka njoftuar duke i thene se “aktualisht e kemi të pamundur shtimin dhe planifikimin e punonjësve të policisë për sigurimin e ambienteve të brendshme të gjykatave dhe gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore, për shkak të limitit të kufizuar të personelit policor”.

Pas kësaj përgjigjeje, Këshilli i Lartë Gjyqësor i është drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Brendshme, duke kërkuar ndërhyrje urgjente.

“Duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit të kërcënimeve ndaj gjyqtarëve, si pasojë e ushtrimit të detyrës, kërkojmë marrjen e masave për shtimin e organikës dhe planifikimin e punonjësve të Policisë së Shtetit për sigurimin e ambienteve të brendshme të gjykatave dhe prezencën e tyre gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore publike.”

Megjithatë, Këshilli shpjegon se jashtë orarit zyrtar të punës ruajtja kryhet nga kompania shtetërore “Illyrian Guard”, nën varësi të Ministrisë së Brendshme.

Në deklaratë, KLGJ thekson se ngjarje si kjo nuk mund të konsiderohen të izoluara dhe kërkojnë një reagim të koordinuar shtetëror për të parandaluar përsëritjen e incidenteve dhe për të mbrojtur integritetin e sistemit gjyqësor.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull