Irena Beqiraj-
Edhe për ata më të pasionuarit pas politikës, jeta mund të konsiderohet shumë e shkurtër për të dëgjuar propagandë në podcast-in “Flasim”. Mirëpo, videot e shkurtra të këtij podcast-i pushtuan rrjetin, ndaj do apo nuk do ato të shfaqen para syve.
Ndër to, më tërhoqi vëmendjen fakti që kandidatja e PS-së për bashkinë e Tiranës fliste me sytë e ulur, pa mundur ta shohë në sy bashkëbiseduesin e vet, mëgjithëse në të paktën këto 12 vjet ai ka zgjedhur çdo detyrë që ajo ka kryer pa i dhënë asaj asnjë mundësi për “ta diskutuar gjatë” qoftë edhe me veten.
Ato pamje më shtynë pa dashje të mendoj për feminizmin dhe sesi ai u përdor si maskë për asgjësimin politik të gruas brenda Partisë Socialiste.
Feminizmi, i cili supozohet të ishte oksigjen nuk mund të ofrohej si një sistem i mbyllur ku çdo detyrë konsumohet nga gratë si vakt paracaktuar nga një burrë. Nga një hapësirë ku gratë mund të marrin frymë plotësisht, por ku edhe burrat nuk duhet të mbajnë frymën për të qëndruar në dhomë me to, feminizmi u kthye në audicion.
Roli? Koketë; Përgjigja?E mësuar përmendësh; Toni? I përulur!
Ndërsa, feminizmi kërkon “t’i japësh çdo gruaje (Ogertës a kujdo qoftë), mundësinë për të marrë një vendim sipas kushteve dhe mundësive të saj jashtë çdo kontrolli, feminizmi i promovuar brenda PS-së nuk mund t’u besojë grave e t’i lejoj ato të marrin vendimet e tyre.
Ai është kthyer në shtrëngim, standard artificial, presion i vazhdueshëm duke i detyruar ato të ndjekin karriera të paracaktuara, për më tepër nga një burrë i vetëm. E gjithë kjo nuk ka lidhje me shanset e barabarta, por me përdorimin, kontrollin, edhe me paralizimin e të menduarit.
Shtylla e feminizmit “mundësitë e barabarta”, u zëvendësua me kast me objektivin rezultate të barabarta, pasi rezultatet mund të fabrikoheshin.
I maskuar si feminizëm në fakt ajo që po ndodh është një vrasje e butë e ngadaltë politike e gruas në Partinë Socialiste.
Gruaja brenda PS-së nuk mund të jëtë kursesi “e vështirë” apo një krijesë me dyshime të mëdha. Aq më pak një koktej intelekti, intuite, rezistence dhe qëndrimesh të pamëshirshme jokonformiste. Fjala “e vështirë” pas fjalës grua rrallë është vetëm një mbiemër brenda PS-së. Ajo është një diagnozë. Një sinjal për të tjerët; kini kujdes, ajo mendon shumë! Mendimi është subversiv dhe revolucionar, shkatërrues dhe i tmerrshëm; mendimi është i pamëshirshëm ndaj privilegjeve, dhe zakoneve të rehatshme; mendimi është anarkik dhe indiferent ndaj autoritetit, i pakujdesshëm ndaj mençurisë së mirësprovuar të grupit; ndaj më shumë se rrënimin, më shumë se vdekjen, brenda atij grupimi kanë frikë mendimin.
Brenda atij grupimi duhet asgjesuar çdo grua që mendon më mirë se shumë burra rreth tavolinës, por më shumë se kaq, duhet mënjanuar çdo grua që në mënyrë brutalisht të ndershme i lejon vetes të mendojë ndryshe, të veprojë ndryshe. Në PS nuk ka vend më për gra “arrogante” që ndërpresin iluzionit kolektiv të harmonisë pikërisht në momentin kur ai bëhet më joshës. Gratë në PS janë mikesha të harmonisë së rreme, sepse suksesi kërkon konformitet .
Konformiteti nga ana e tij kërkon gra e lehta por ambicioze që mund të dominohen, heshtin, adhurojnë, të paafta për të toleruar debatin dhe shkëmbimin racional, të sunduara nga lojrat e statusit dhe teatri i cënueshmërisë emocionale.
Por në pushtet gënjeshtrat kërkojnë mirëmbajtje, edhe kur pushteti është i gjatë manipulimi sjell lodhje. Ambicja gërryen edhe duart që e përdorin atë . Ndaj hapi i fundit i proçesit të asgjësimit politik të grave duket se është hedhur tanimë. Ministret syulura, koketa, të bindura, por ambicioze po zëvendësohen nga ministret pa ambicje avatarët e Inteligjencës Artificiale të cilët jo paqëllim kanë emra grash.
Diella nuk eshtë as më shumë e as më pak, por akti i fundit i vrasjes së grave në politikë të cilat konsumuan iluzionin kolektiv të barazisë me burrin , por nuk arritën kurrë të kishin mundësinë të zgjidhin apo të merrnin vendime për veten apo të tjerët.