Si u parandalua atentati ndaj kryeministrit të Belgjikës

2 Minuta Lexim

Autoritetet belge kanë ndaluar këtë të enjte, tre të rinj të dyshuar për planifikim të një sulmi terrorist ndaj politikanëve të vendit, përfshirë kryeministrin Bart De Wever. Të arrestuarit, të moshave 16, 21 dhe 22 vjeç, u ndaluan në qytetin e Antverpit me dyshimin për tentativë vrasjeje dhe pjesëmarrje në një grup terrorist.

Hetimet zbuluan se sulmi kishte frymëzim xhihadist dhe përfshinte përdorimin e dronëve dhe pajisjeve shpërthyese.

“Ekzistojnë tregues që qëllimi ishte të kryhej një sulm terrorist i frymëzuar nga xhihadistët, që synonte politikanët,” tha prokurorja Ann Fransen gjatë një konference për shtyp. Autoritetet kryen katër kontrolle në shtëpi me ndihmën e skuadrave anti-bombë dhe njësive të policisë federale.

Autoritetet sekuestruan një printer 3D dhe materiale të tjera të dyshimta gjatë kontrolleve në shtëpi.

Dy prej të arrestuarve mbeten në paraburgim, ndërsa i treti është liruar.

Ministri i Jashtëm i Belgjikës Maxime Prévot e cilësoi ngjarjen si “thellësisht tronditëse” dhe theksoi angazhimin për të përballuar kërcënimet e reja terroriste.

“Belgjika po forcon aktivisht kapacitetet e saj për të përballuar format e reja të terrorizmit, veçanërisht përmes luftës kundër përdorimit keqdashës të dronëve,” shtoi ministri.

Kjo ngjarje vjen pak kohë pas një serie rastesh të ngjashme dhe pothuajse dhjetë vjet pas sulmeve terroriste në Bruksel në 2016, që morën jetën e 32 personave.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull