Drejtuesi i Bankës Botërore: Shqipëria të krijojë rezerva për të përballuar krizat e ardhshme

7 Minuta Lexim

A2 CNN: Kriza e çmimeve, a ka ndikuar në thellimin e varfërisë në Shqipëri?

Salinas: Fatkeqësisht po. Ky është një fakt. Një rritje e çmimeve prek këdo në shoqëri. Të gjithë ne e ndjejnë ndikimin e rritjes së çmimeve, por qartësisht kjo rritje prek më shumë ata njerëz që janë të varfër në një shoqëri dhe më e rëndësishmja atë segment të shoqërisë që ndodhet në situatë vulnerabël. Ne vlerësojmë se 14% e njerëzve në Ballkanin Perëndimor rrezikojnë të bien në varfëri për shkak të rritjes së çmimeve.

A2 CNN: Sa ka arritur qeveria shqiptare të ndihmojë shtresat e varfra përmes dy paketave antikrizë?

Salinas: Paketa antikrizë e përgatitur nga qeveria është padyshim një hap në drejtimin e duhur. Ne jemi dakord me qeverinë se duhet ndërmarrë një numër masash për të mbështetur ata që ndodhen tashmë në varfëri dhe ata që janë në rrezik dhe sa të jetë e mundur edhe pjesën tjetër të popullsisë. Por teksa ecim përpara është e rëndësishme  të sigurojmë që dy gjëra të ndodhin – e para, që shumica e burimeve të shkojnë për personat që janë më shumë të rrezikuar, pra të varfrit, dhe së dyti, të identifikohen personat që rrezikojnë të bien në varfëri. Në këtë moment nuk mundemi ta bëjmë këtë për shkak të kufizimeve në të dhënat statistikore. Ky është drejtimi në të cilin duhet të ecim.

A2 CNN: Qeveria ka hartuar projektbuxhetin 2023 dhe paketën fiskale që e shoqëron. Në këtë paketë janë parashikuar ashpërsim gjobash për biznesin që kryen evazion fiskal. A do të japë kjo masë efekt në këtë drejtim apo ka rrezik që të shtojë korrupsionin?

Salinas: Ne mendojmë se është një tjetër masë e mirë që duhet marrë. Ne dimë se masat që kjo paketë reflekton janë penalitete më të larta për ata që janë shkelës të përsëritur në detyrimet e tyre për të paguar taksa. Ndaj mendojmë se është një masë e mirë. Por ka disa gjëra të tjera që ndodhin në të njëjtën kohë. Ne jemi në mbështetje të kësaj me qeverinë. Për shembull, ndërsa është e rëndësishme të vendosen këto masa ndëshkimore shtesë, është gjithashtu e rëndësishme të forcohet aftësia dhe sistemet e qeverisë për të identifikuar personat që janë në këtë situatë sepse nëse rrit penalitetet, por nuk ke një mënyrë për të identifikuar kush është në atë situatë atëherë kjo nuk ka për të funksionuar. Kjo janë dy gjëra, por ka dhe të tjera që mund të bëhen për të forcuar këtë. Nëse bëjmë një hap pas, është e rëndësishme të njohim se në kohë krizash dhe në rastin e Shqipërisë, krizat kanë qenë të njëpasnjëshme në vitet e fundit, ndaj është e rëndësishme për qeverinë të rrisë të ardhurat, sepse është mënyra e vetme që qeveria ka për të siguruar që gjithkush të marrë shërbimet publike dhe që në të njëjtën kohë, të ketë burimet për të ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë.

A2 CNN: A i ka adresuar qeveria ne projektbuxhetin 2023 dhe paketën fiskale të gjitha problemet që adreson kriza…?

Salinas: Brenda kufizimeve të buxhetit të disponueshëm, ato masa që janë përcaktuara janë të përshtatshme, por qartësisht ka një kufizim të buxhetit të disponueshëm. Duhet të mbajmë parasysh që në të njëjtën kohë nevojitet më shumë, ndërsa qeveria duhet të punojë brenda këtyre kufizimeve të fondeve të disponueshme. E rëndësishme është që duke mbajtur parasysh që krizat janë përsëritur në Shqipëri ashtu si dhe në vende të tjera, është që te fokusohemi në adresimin e çështjeve që janë aktuale, por pa humbur fokusin tek e ardhmja gjithashtu. Pra duhet të punojmë paralelisht. Masat që janë marrë janë pozitive dhe Banka Botërore i mbështet ato, por në të njëjtën kohë duhet të nisim të punojmë në minimizimin e potencialit për kriza që mund ndodhin në të ardhmen apo goditjeve që mund të preknin Shqipërinë. Ne duhet gjithashtu të ndërtojmë rezerva dhe mbrojtje fiskale që vendi të jetë i aftë të ndërhyjë kur të jetë e nevojshme dhe që të jemi të aftë të sigurojmë që krizat të mos ndikojnë vendin ashtu sikurse kanë bërë në të kaluarën.

A2 CNN: Në nëntor qeveria pritet të vendosë fashën 800 kWh të konsumit të energjisë e cila shoqërohet dhe me një rritje të çmimit. Si e gjykoni ju një vendim të tillë?

Salinas: Ne mendojmë që ky është një hap në drejtimin e duhur. Është e rëndësishme të liberalizojmë çmimin e energjisë për konsumatorët e mëdhenj. Me përcaktim, e dimë se konsumatorët e mëdhenj janë njerëz me më shumë mundësi, me të ardhura më të mëdha. Ndaj është një masë të cilën e mbështesim. Por duhet të punojmë gjithashtu paralelisht, sepse është e rëndësishme të zbusim goditjen e menjëhershme, por në të njëjtën kohë duhet të vazhdojmë të punojmë në çështje që prekin sektorin e energjisë. Për shembull, duhet të punojmë të diversifikojmë gjenerimin e energjisë përmes burimeve të rinovueshme, të gjelbra. Kjo kërkon kohë, por duhet të fillojmë dhe të lëvizim shpejt në këtë drejtim. Gjithashtu duhen ndërmarrë edhe reforma në sektorin e energjisë që kërkojnë kohë, dhe ne duhet ta konsiderojmë këtë krize si një mundësi për të ecur më shpejt në këtë drejtim dhe për të siguruar që pas dy vitesh në këtë rrugë nuk do të jemi sërish në të njëjtën situatë që jemi tani.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull