Shërbimi gjerman i kundërzbulimit ushtarak po përballet me një shtim të aktiviteteve të shërbimeve sekrete kundërshtare në Gjermani, që po bëhen gjithnjë e më aktive.
Presidentja e Shërbimit gjerman të Kundërzbulimit Ushtarak (MAD), Martina Rosenberg, paralajmëroi për rritjen e aktivitetit të shërbimeve sekrete kundërshtare në Gjermani. Sipas drejtueses së shërbimit sekret ushtarak gjerman, skenarët e kërcënimit për ushtrinë gjermane, Bundeswehr, janë të ndryshëm.
“Shërbimet sekrete të kontrolluara nga shtete kundërshtare përdorin të gjitha mjetet në dispozicion për të marrë informacione, për të ushtruar ndikim dhe për të ndjekur interesat e vendit të tyre”, tha Rosenberg.
“Anomali dhe përpjekje të shumta për spiunazh”
Pas sulmit rus ndaj Ukrainës dhe ndryshimit të situatës në Evropë mbrojtja kundër spiunazhit po bëhet sërish e rëndësishme për ushtrinë gjermane. Shërbimi gjerman i Kundërzbulimit Ushtarak ka regjistruar “anomali dhe përpjekje të shumta për spiunazh”.
Kështu në peridhën shtator-tetor janë vërejtur fluturime të përsëritura me dron mbi zonat ushtarake të Bundeswehr-it dhe mbi qendrat ku ushtarët ukrainas stërvitjen për të përdorur armatime perëndimore. Qëllimi i këtyre fluturimeve ende nuk është sqaruar.
Nivel i lartë spiunazhi dhe para luftës kundër Ukrainës
Ekspertët thonë se aktivitetet e spiunazhit janë rritur ndjeshëm dhe janë edhe më të shpeshta se në kohën e Luftës së Ftohtë. Kjo edhe për shkak se interneti dhe rrjetet sociale përbëjnë pika të reja sulmi.
Presidentja e Shërbimit gjerman të Kundërzbulimit Ushtarak (MAD), Martina Rosenberg, tha se aktivitetet e shërbimeve të huaja të spiunazhit kundër Bundeswehr-it ishin në një “nivel të lartë” që përpara 24 shkurtit 2022 – pra përpara se Rusia të sulmonte Ukrainën. Rosenberg tha qëllimi i punës së shërbimit të kundërzbulimit ushtarak është “të zbulojë në një fazë të hershme dhe të shmangë në mënyrë efektive çdo aktivitet spiunazhi, veçanërisht të shërbimeve sekrete ruse dhe kineze.” Ajo tha për këtë MAD-i bashkëpunon me autoritetet partnere kombëtare dhe ndërkombëtare.
Shërbimi i kundërzbulimit ushtarak është një nga tri shërbimet sekreta të Gjermanisë, krahas Entit Federal për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV) dhe Shërbimit Sekret Federal (BND). MAD e ka selinë në kazermën Konrad-Adenauer në Këln dhe ka rreth 1400 punonjës.