Gjykata e Durrësit ka dënuar me burgim të përjetshëm Hysen Metën, i shpallur fajtor për vrasjen e babait të tij, Pëllumb Metës, në një ngjarje që ndodhi më 10 shkurt 2024 në Shënavlash. Sipas hetimeve, Hysen Meta qëlloi për vdekje babanë pas një konflikti familjar dhe më pas, me ndihmën e të afërmve, fshehu kufomën në një stallë pranë banesës.
E motra e tij, Hygerta Meta është dënuar me 8 vite burg, nga 30 vite që kishte kërkuar prokuroria ndërsa i vëllai, Amarildo Meta është dënuar me 5 vite burg. E ëma e tre fëmijëve, apo bashkëshortja e viktimës, Blerina Meta është dënuar me 3 vite burg. Në sallën e gjyqit i pranishëm ka qenë vetëm Amarildo Meta.
I ndjeri Pëllumb Meta u vra mesditën e 12 shkurtit 2024 pasi u kthye nga puna. Në kuzhinën e banesës së tij, ai u qëllua me armë nga djali Hysen Meta, ku e pranishme ishte edhe vajza Hygerta Meta. Djali qëlloi 4 herë në drejtim të tij, por u prek nga 3 plumba, 1 në kokë dhe 2 në trup, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pasi vranë babain, motër e vëlla e fshehën krimin duke zhdukur provat si dhe duke groposur kufomën e të atit.
Ata stuktuan vrimën në mur ku kishte përfunduar njëri nga plumbat, si dhe spostuan divanin në të cilin ka qenë i shtrirë viktima.
Më pas mbështollën trupin e pajetë të babait, e groposën në kasollen e bagëtive e cila ndodhej disa metra larg banesës dhe më pas kanë vijuar me largimin automjetit nga banesa, zhdukjen e sendeve personale të viktimës si dhe zhdukjen e armës së krimit. Për fshehjen e kufomës dhe të provave ishin të përfshirë edhe vëllai tjetër Amarildo dhe nëna e tyre Blerina.
Pasi zhdukën të gjitha provat, djali Hysen Meta shkoi në Policinë e Durrësit dhe bëri kallëzim me pretendimin se babai i tyre ishte larguar nga banesa. Por deklaratat kontradiktore dhe jo të besueshme në atë kohë, bënë që grupi hetimor i policisë së Durrësit të dyshonte mbi zhdukjen reale nga banesës të Pëllumb Metës. Pasi u zbardh krimi dhe u arrestuan fëmijët, gjatë gjyqit, vajza Hygerta Meta deklaroi se babain e vrau vëllai Hyseni.