Familja Rugova merr shtetësinë shqiptare. Veliaj: “Krenar për kontributin që i keni dhënë Shqipërisë dhe Kosovës

3 Minuta Lexim

Pak ditë më pare, Ukë Rugova, djali i presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, dhe bashkëshortja e tij, Blerta Rugova, u betuan para kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pas marrjes së nënshtetësisë shqiptare. Por, nga sot e gjithë familja Rugova ka marrë nënshtetësinë shqiptare, duke përfshirë bashkëshorten e Presidentit Rugova, Fana Rugova, vajzën, Teuta Rugova dhe djalin tjetër të tij, Mendim Rugova.

Në këtë ceremoni të veçantë, kryebashkiaku Veliaj tha se është nder i madh për të që sot po merr nënshtetësinë shqiptare një zonjë, e cila i ka hapur dyert shqiptarëve nga e gjithë bota. “Jam shumë i nderuar sot që, një mikeshë e madhe e Shqipërisë dhe shqiptarëve, ajo që ka hapur dyert e shtëpisë së saj për shqiptarët e të gjitha skajeve të botës. Jam gjithashtu i lumtur që e gjithë familja Rugova ka marrë shtetësinë shqiptare. Në Tiranë jemi shumë mirënjohës për kontributin tuaj, për kontributin e presidentit Rugova. Më vjen mirë që jemi bashkëqytetarë të qytetit të Tiranës”, tha Veliaj.

Ai u shpreh se mezi pret që, së bashku me familjen Rugova, të bëjnë më shumë punë të mira dhe të mbara për kombin shqiptar.

“Është ky flamur kuqezi që, në dukje, është vetëm një pëlhurë me një simbol, por ndërkohë mbart shumë më shumë se kaq, mbart një ideal, një pasion, sakrifica të pashoqe të njerëzve ndër vite. Sot që jeni shtetas të Republikës së Shqipërisë, jeni qytetarë të Tiranës, e kam zemrën plot me gëzim dhe ndihem vërtet shumë i lumtur. Edhe puna ime ka sfida, jo sfida si ato që ka kaluar Ibrahim Rugova nën ditët e vështira të sakrificave për të parë Kosovën të pavarur dhe një Shqipëri demokratike dhe të hapur, por ia kemi mbërritur kësaj dite. Mezi pres që si qytetarë të Republikës së Shqipërisë, të bëjmë akoma më shumë punë të bukura, më shumë punë të mira, më shumë punë të mbara për kombin tonë dhe njerëzit tanë”, tha ai.

Për djalin e Ibrahim Rugovës është emocionues fakti se më në fund, familja Rugova është pjesë e familjes së madhe të Shqipërisë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull