Me kërkesë të Prokurorisë Tiranë sekuestrohen pasuritë e ‘International Medicare shpk e Sante Plus’, pasi u gjetën mbi 1 milionë euro fatura jo tatimore, fshehje të të ardhurave dhe mosagim të taksave.
Nga hetimet dhe kontrollet tatimore, u zbulua se spitali operonte me mandate dore dhe jo me kupona tatimorë, ndërsa gjatë kontrollit fizik u gjetën mbi 1 milion euro fatura jo tatimore dhe medikamente të skaduara, përfshirë edhe barna të ndaluara për shitje jashtë ambienteve spitalore.
Kontrollet e Drejtorisë së Tatimeve konstatuan se subjekti “Sante Plus” ka fshehur pagat reale të punonjësve dhe nuk ka deklaruar kontributet shoqërore e shëndetësore për periudhën 2018–2023, duke i shkaktuar shtetit një dëm financiar që kalon 35 milionë lekë vetëm nga TVSH-ja dhe detyrime të tjera tatimore në total mbi 40 milionë lekë.
Prokuroria thekson se subjektet “Sante Plus Group” dhe “International Medicare”, me të njëjtët ortakë dhe administratorë, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin “me qëllim shmangien e pagesave të taksave e tatimeve dhe fshehjen e të ardhurave të përfituara nga pacientët”.

