Ka përfunduar ceremonia e homazheve në nder të liderit historik të PS, Fatos Nano.
Ish-kryeministri do të përcillet për në banesën e fundit, ku arkëmorti do të prehet në varrezat e Sharrës në kryeqytet. “Dhe tani, fundi është afër…”, tingujt e këngës legjendare të Frank Sinatra dëgjoheshin ndërsa arkivoli me trupin e tij doli nga vendi i homazheve në Pallatin e Kongreseve.
Familjarë, miq, mijëra qytetarë, autoritete shtetërore, të komuniteteve fetare, trupit diplomatik, i kanë dhënë lamtumirën e fundit duke e përcjellë kortezhin me nderim dhe arkëmortin e vendosur mbi një top, e shoqëruan në bulevardin kryesor.
Sipas protokollit, pas përcjelljes me ceremoni funebre, nderimet e fundit do bëhen në një ceremoni private nga familja e tij, në varrezat e Sharrës.
Në respekt për kontributin e Fatos Nanos në jetën publike dhe politike të vendit, 2 nëntori është shpallur edhe ditë zie kombëtare.
Fatos Nano ndërroi jetë në 31 tetor, në moshën 73-vjeçare, në një prej spitaleve private të kryeqytetit, ku po kurohej prej 24 ditësh.
Pesë herë Kryeministër i Shqipërisë, Fatos Nano do të mbahet mend si një lider historik i së majtës shqiptare, vizionar për Shqipërinë dhe një nga figurat më të rëndësishme të politikës shqiptare gjatë periudhës së tranzicionit.

