Gramoz Ruçi homazhe për Fatos Nanon: I pari që sakrifikoi pushtet për të bërë shtet

2 Minuta Lexim

Ish-kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka marrë pjesë ditën e sotme në homazhet në nder të ish- kryeministrit Fatos Nano.

Gjatë fjalës së tij për mediat, Ruçi u përlot teksa e cilësoi Nanon si vëllain e tij dhe njeriun që reformoi Partinë Socialiste. Po ashtu, Ruçi tha se Nano është i pari lider që u persekutua në demokraci, pasi kreu 4 vite burg.

“Sot është dita që të nderojmë e përkujtojmë Fatos Nanon. Fatos Nanon, si të parë dhe themelues i Partisë Socialiste.

Si të parë dhe reformues e demokratizues i PS-së. Fatos Nanon si lider të PS-së në 14 vite, ku nuk ka për të ndodhur më që në harkun e 14 viteve 4 vite t’i kalosh në izolim dhe 8 vite ta mbash forcën politike në pushtet, pikërisht në dekadën e parë të themelimit dhe transformimit të kësaj force politike, si asnjë forcë tjetër politike simotër në Europën Lindore.

Do të mbahet mend si i pari që në zgjedhjet e para dhe të fundit që humbi, dha dorëheqje të parevokueshme duke e lënë të lirë forcën politike dhe gjeneratën e re për të marrë drejtimin e kësaj force politike. Do të mbahet mend si i pari që tezën që ai tha kur erdhi në pushtet se ‘do të sakrifikojmë pushtet për të ndërtuar shtet’, nuk e kishte thjesht një predikim, por e bëri realitet.

Fatos Nano do të ngelet një qytetar ekselent, një intelektual i klasit të parë, një politikan rrace dhe do të mbahet mend si i pari politikan që në demokraci është persekutuar 4 vite. I paharruar kujtimi i vëllait dhe kryetarit tim Fatos Nano”, tha mes të tjerash Ruçi.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull