Inceneratori i Tiranës, SPAK kërkon dënim me 5 vite burg për Alqi Bllakon

1 Minuta Lexim

Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka dhënë konkluzionet për Alqi Bllakon, ish-sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, në lidhje me aferën e inceneratorit të Tiranës.

Prokurori Dritan Prençi ka kërkuar që Bllako të shpallet fajtor për korrupsion pasiv në dy raste dhe dënimin e tij me 5 vite burg, ndërsa përmes gjykimit të shkurtuar, dënimi do të reduktohet në 3.4 vite.

Gjithashtu SPAK ka kërkuar që Bllako të pezullohet nga ushtrimi i funksioneve publike për një periudhë prej 5 vitesh.

Prokurori ka njoftuar Gjykatën se nuk ka asnjë vendim tjetër të formës së prerë nga Gjykata e Durrësit që lidhet me lirinë me kusht të Bllakos në lidhje me vendimet e mëparshme.

Rasti pritet të kalojë për shqyrtim në gjykatë, ku do të vendoset përfundimisht mbi kërkesat e Prokurorisë.

Ky është rasti i dytë që Bllako përballet me një pretencë lidhur me inceneratorin e Tiranës, pasi Apeli i Gjykatës së Lartë (GJKKO) e ka rikthyer çështjen për rigjykim në shkallën e parë.

Në vendimin e parë, i cili u prish nga Apeli, Bllako ishte dënuar me 4 vite burg, që u ulën në 2.8 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull