Ambasadori i Zvicrës: Do ta përpiqemi për liberalizimin e vizave të Kosovës

3 Minuta Lexim

Të martën, Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë ka pritur në takim ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly.

Gjatë këtij takimi Kolly, ka thënë se do ta ngrisin zërin për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Marrëdhëniet mes vendeve tona janë pozitive, jo vetëm për ju por edhe për ne. Ju keni shumë njerëz që kanë zhvilluar bizneset e tyre, artistë që janë aktivë në Zvicër, vizat natyrisht janë dhimbje koke, kushti për ETIAS nuk është pozitiv”.

“Ne jemi pjesë e Schengen por nuk kemi të drejtë të votës, mirëpo ne do ta ngrisim zërin për ju. NATO është çështje e BE-së, ndonëse s’jemi pjesë e BE-së mendoj që kjo është çështje e rajonit”, deklaroi ai.

Gjatë raportimit në këtë komisioni ai tha se janë duke u fokusuar tek furnizimi me ujë dhe ndryshimet klimatike.

“Ne do të jemi të gatshëm t’i ndajmë përvojat tona për këto çështje”.

Ndërsa kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi, gjatë këtij takimi ka listuar prioritetet e Kosovës.

Abazi ka theksuar edhe një herë se prioritet i Kosovës mbetet liberalizimi i vizave, anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe në NATO.

“Prioriteti jonë i parë është liberalizimi i vizave, i dyti është anëtarësimi në Këshillin e Evropës, siç e dini ne kemi aplikuar, dhe i treti është anëtarësimi në NATO, duke filluar me anëtarësimin në partneritetin për paqe”.

Ai ka shprehur falënderimi ndaj Zvicrës edhe për të kaluarën dhe ndihmën që i kishte ofruar Kosovës.

“Më duhet të ju them se jemi falënderues ndaj Zvicrës për ndihmën gjatë luftës, pas luftës dhe tani. Mendoj që marrëdhëniet tonë bilaterale janë të lidhura, ne kemi diasporën në Zvicër e cila është e madhe, nuk është vetëm për financa por edhe në bashkëpunimin ndërkulturor”.

Takimi i Komisionit është duke vazhduar me dyer të mbyllura për media.

Liberalizimi i vizave për Kosovën ishte i përfshirë në agjendë edhe në takimin e 13 tetorit në mbledhjen e fundit të Këshillit.

Gjatë takimit u raportua se autoritetet franceze dolën me propozimin se shtetet që u hiqen vizat duhet të bëhen pjesë e sistemit të ETIAS, që në njëfarë mënyrë e lidh liberalizimin e vizave për Kosovën me operacionalizimin e ETIAS, dhe Belgjika, Suedia, Holanda dhe Spanja e mbështetën këtë propozim.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull