Berisha sulmon ambasadorin e BE-së në Kuvend: E respektojmë orentinimin tënd seksual, por mos iu impono shqiptarëve… (i përgjigjet Balla)

5 Minuta Lexim

Nga foltorja e Kuvendit, Sali Berisha sulmoi ambasadorin e BE-së, Silvio Gonzato, lidhur me projektligjin për barazinë gjinore, duke pretenduar se diplomati ka kërkuar që ligji të votohet në Kuvend.

Berisha argumentoi se ligji, sipas tij, nuk ka bazë në direktivat e BE-së dhe citoi se Gjykata Kushtetuese franceze e ka hedhur poshtë në vitin 2016, pasi sipas tij mohon të drejtën e prindërve për edukimin.

“Një gazetar më tha se ambasadori Gonzato ka kërkuar votimin e ligjit. I kërkova të nxjerrë cilat direktiva të BE e kërkojnë këtë.

Ky ligj nuk ekziston në 21 vende anëtare të BE dhe de fakto godet familjen në shoqërinë postmarksiste.

Është përpjekje e grupit sororian që ka pushtuar shtetin shqiptar dhe ka përfituar nga fondet e Soros, duke e vendosur ligjin në pikën 17 të rendit të ditës dhe duke kërkuar votimin në mesnatë,” tha Berisha.

Ish-kryeministri theksoi se ligji, sipas tij, përmbys Kodin e Familjes dhe paraqet një kërcënim për strukturën familjare dhe vlerat tradicionale.

Gjatë fjalës së tij para Kuvendit, Berisha i përcolli një mesazh ambasadorit të Bashkimit Europian, Silvio Gonzato, i cili përkrahu këtë projektligj.

Ai i kërkoi që të lërë anash orientimin e tij seksual dhe të mos përpiqet t’i imponojë shoqërisë  shqiptare standarte të përkatësisë së shumëfishtë gjinore.

“Ambasadorit të BE i them kaq, zotëri ne absolutisht ne respektojmë orientimin seksual të gjithsecilit, por përpjekjet tua për t’i imponuar shoqërisë shqiptare standarde të përkatësisë së shumëfishtë gjinore, të gjinisë në diversitet të gjerë, përveç asaj binare, dhe i them këtu, edhe në statusin tënd je binar.

Nuk merremi ne me trajtimin, ka fëmijë, ka pasur grua, ka marrë vendimet e tij më pas, siç e ka shpjeguar, se nuk dua të merrem me jetën e tij personale fare. Kështu që ligji nuk ka asgjë të përbashkët. Le t’u thotë shqiptarëve se cila direktivë e BE bën fjalë për përkatësi të shumëfishtë gjinore. Të dalë, ta nxjerrë aty”, tha Berisha

Replika e Ballës

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, njoftoi se partia do të depozitojë pranë Komisionit të Etikës kërkesën që ish-kryeministri Sali Berisha të japë shpjegime për sulmet ndaj ambasadorëve të vendeve mike, përfshirë edhe ambasadorin e BE-së, Silvio Gonzato, lidhur me projektligjin për barazinë gjinore.

Balla dënoi ashpër sulmin dhe theksoi se ai bie ndesh me parimet e Konventës së Vjenës dhe interesat e Shqipërisë:

“Ky sulm i përsëritur kundër ambasadorëve të SHBA-ve, të vendeve të tjera dhe të BE-së bie ndesh me interesat tona. BE është partneri ynë më i rëndësishëm dhe vendi synon të bëhet anëtar brenda 2030. Për këtë sulm, ne do të depozitojmë kërkesë pranë komisionit të etikës që deputeti të japë shpjegime dhe Kuvendi të ndalojë përgjithmonë sulmet,” tha Balla.

Ai theksoi gjithashtu se projektligji për barazinë gjinore është hartuar bazuar në ligjin kundër diskriminimit të miratuar nga Berisha në vitin 2010, duke shtuar se përkatësia gjinore dhe e shumëfishtë janë të përcaktuara qartë në ligj dhe në konventën e Stambollit, ratifikuar nga Shqipëria:

“Politizimi i kësaj çështje nuk ka të bëjë me ligjin. Në Shqipëri nuk do të ketë më gra që paguhen më pak se burrat; gratë dhe burrat do të paguhen të gjithë njësoj. Ai që del sot kundër këtij ligji është kundër barazisë gjinore”.

Përgjigjet Berisha

Sali Berisha i është përgjigjur kreut të Grupit të PS-së, Taulant Balla i cili e akuzoi se sulmoi ambasadorin e BE, duke shtuar se do i kërkonte masë Komisionit të Etikës për ish-kryeministrin.

Berisha e quajti trillim duke theksuar se nuk ka fyer asnjë ambasador të huaj.

Ai shtoi se nuk ka njeri që respekton më shumë se ai diplomatët, por shtoi se më shumë do vendin e tij.

“Hedh poshtë me përçmim trillimin e parafolësit sepse në fjalën time s’kam fyer asnjë ambasador të huaj, por i kam kërkuar zotërisë së tij t’u paraqesë shqiptarëve cila direktivë europiane bën fjalë për përkatësi të shumëfishtë gjinore, për gjini me diversitet të gjerë.

S’ka njeri që respekton më shumë se unë ambasadorët, por më shumë dua vendin tim”, tha Berisha.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull