Çfarë ka, pas pushtimit dhe poshtërimit të demokracisë dhe përfaqësimit?!

3 Minuta Lexim
CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v62), quality = 60
Demokracia e përfaqësimit u pushtua dhe u poshtërua. Tani nuk ka më asnjë kuptim e asnjë vlerë marrëdhënieje me sovranin. Qytetarët këtë pushtim poshtërues e soditën si diçka të përkohshme dhe kalimtare. Ky është naiviteti i pritmërisë së opinionit publik.
Pushtimi dhe poshtërimi i demokracisë zgjedhore dashka kohën e vet që të gjenerojë bindje dhe reagim.
Nuk është e njëjtë koha që do pushtimi i përfaqësimit politik me kohën e pushtimit dhe poshtërimit të demokracisë.
Tani, domethënë në këtë kohë, jemi realisht në pikun e poshtërimit të demokracisë dhe për këtë, rrjedhojat nuk parashikohen.
Pushtimi i përfaqësimit u çimentua në marrëveshjen e 2008 nga dyshja kryesuese e bipolaritetit partiak në vend. Se çfarë ngjau më pas, kjo tashmë është e njohur.
Poshtërimi i përfaqësimeve politike pasoi më intensivisht paskësaj.
U zhbënë të gjitha kriteret që ishin “mishi” i demokracisë strukturore. Në partitë tona kryesore u poshtëruan statutet dhe kanonet e trashëguara dhe ato të amenduara.
Tashmë pasojat kanë dalë jashtë partive.
Poshtërimi i demokracisë dhe më së shumti i përfaqësimeve, ka jashtë pragut të kësaj gjendjeje depresive dhe status quo-je, lindjen e një reagimi të ri publik.
Do të ketë disa forma ky reagim refuzues, përbuzës vetëzgjedhës dhe mosnjohës.
Subjekti që vjen do të tejkalojë regjitë e përdorura, të konsumuara dhe të manipuluara të “ mjeshtrave të tranzicionit” dhe mjeshtrave të “ pushtimit të demokracisë dhe përfaqësimit”.
Krizat përherë dhe kudo janë shtatzëna me zgjidhje.
Nuk është moment për iluzion të ri, por është kapitull i mbaruar për një ndryshim imponues.
Kur zhbëhet fjala, kur përdhoset besimi, kur zhelekoset shteti, kur i “ pakënduari bëhet legjislator”, atëhere shoqëria që zvarrit të sotmen e vet, nuk ka më “tapi” për të ardhmen e saj…
Ky nuk është trisht i mishëruar në tekst, por një e thënë reflektimi për një realitet që mbart ligjësinë oqeanike të asaj që vjen si pamundësi për t’u kontrolluar dhe mbajtur nën pushtet vetiak.
Ajo që vjen paskëtaj është shpërthim refuzues.
Ky protagonizëm do të vijë nga gjenerata, e cila realisht e përbuz realitetin e mbajtur në përdorim nga ata “ që qeverisin dhe mërzinë” e sotme të njerëzve, siç do të shprehet në një varg të vetin Fatos Arapi-Poet.
Çfarë ka pas pushtimit dhe poshtërimit të demokracisë?
Shembje të “hipotekave vendimmarrëse”.
Vetëm ky refuzim i menjëhershëm dhe prej shumicës së shoqërisë, zbon pushtimin malinj të demokracisë nga “zotërit “e fuqishëm brenda dhe vasalë para “zotërve” jashtë.
Kjo krizë poshtërimi dhe poshtëruesish, po jep shenja të mjaftshfaqjes së sovranit refuzues, të antiriciklimeve stanjative të një shoqërie që e shndërroi jetën e vet “laborator” të së pandryshueshmes dhe të së keqpërdorurës “demokraci hibride”.
Në ag të së afërmes, po shfaqen silueta dhe shenja të shumta refuzimesh…!

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull