Ben Blushi nuk bëhet dot Selman Ruzhide, fatkeqësisht, ky nuk është një provokim

10 Minuta Lexim
Screenshot

Nga Hysni Gurra-

Më kanë dalë para disa intervista, reklamë, të Ben Blushit, i cili ka shkruar një libër të ri së fundi, “Unë jam musliman”.
Ia kam lexuar disa libra më herët, kur kam pas edhe kohë më shumë, disa më kanë pëlqyer, disa jo. Nuk është se kam shkruar ndonjëher ndonjë koment për librat e Blushit, siç thashë, tani pas një fare moshe njeriu edhe duhet të lexojë edhe duhet të komentojë gjëra që kanë një farë vlere.
Po tani po shkruaj, se më bëri shumë përshtypje që Blushi përdorte një fjalë kyçe në çdo dalje në rrjet apo media: “mua më kanë ngjitur një etiketë provokator”, edhe e përmend aq shumë këtë që të ngulitet mirë në mendjet e njerëzve.
Nuk po i hyj fare diskutimit të librit të fundit. Turp të kenë gjithë ata që e shajnë dhe e fyejnë Blushin pse ka shkruar një libër. Ata që e shajnë janë vërtetë “gomerë”, sepse ai libër dukshëm tregon që autori ka një mungesë të theksuar kulture njohje, për temën për të cilën shkruan. Në nja 2-3 pasazhe kuptohet qartë që është shkruar nga një autor i cili thjeshtë ka bindur vehten se është i ditur, së paku për temën që ka shkruar.
Jo më kot Blushi bërtet, viktimizohet, kinse e quajnë pa të drejtë provokator. Dhe këtu unë mendoj që ka shumë të drejtë.
Ben Blushi nuk është aspak provokator. Ai është një personazh që ka talent për të shkruar, ka fantazi, por që kjo shoqëria jonë e prapambetur nuk e ka radhitur ende në aradhën e intelektualëve kryesorë që ka prodhuar ky komb. Ai e vuan këtë gjë dhe ka një farë të drejte. Se dreqi e mori kjo është një dekoratë që edhe i takon.
Nga sa kuptoj unë, Ben Blushi ka një idhull në letërsi, ai mund të jetë Selman Ruzhdie.
Këtë përshtypje krijova kur në një nga intervistat merrte shembull fshatarë nga India, “sot nuk ka më diferenca. Një fshatar nga India merr informacion në të njëjtën kohë, njëlloj, me Elon Musk”,-thoshte. Kur komentoi një moment zhvillimet teknologjike. Ai mund ta bënte paralelizimin fare mirë me një fshatar nga Leskoviku, Librazhdi apo ku di unë, por subkoshienca e çon përherë në Indi, sepse mesa duket i është fiksuar që — çfarë ka Selman Ruzhdie më shumë se unë. Ja e ka sulmuar ia Islamin, u bë me famë botërore, ja po e sulmoj edhe unë, pse ai, e jo unë???
Po Beni harron disa elementë që e pengojnë atë të marrë famën e Selmanit.
E para njëherë, Selmani lindi mysliman. Lindi dy muaj para se India të fitonte pavarësinë nga Britania e madhe. Kolonizatorët kur ikën “e morën” me vete Selmanin dhe duke i parë talentin e promovuan.
Selmanin e polli një popull ndër më të mëdhenjtë e njerëzimit. Libri i Selmanit u promovua nga kolonia për t’i treguar shoqërisë që e polli se ja si jeni ju. Përveç kësaj, të parët që ia ndaluan librin ishte vendi i tij, India, me mazhorancë të besimit hindu, kujtojmë se në vendin e tij myslimanët janë pakicë e persekutuar në të shumtën e kohës. Pastaj hyrën në lojë vende që kruanin brirët me anglo-amerikanët që ndaluan librin, Irani, Pakistani etj.
Blushi nuk ka lindur nën koloni.
Blushin e ka pjellë një popull i vogël.
Populli që ka pjellë Blushin nuk shqetëson dot e as kërcënon dot askënd, që një shtet i madh si Britania, Amerika apo qoftë edhe Italia të themi ta marrë në mbrojtje dhe t’i japë famë.
Tjetra, fati i keq i Blushit është se populli për të cilin flet e shkruan ai është shembull ekzemplar i tolerancës fetare. Pra, këtu s’çan kokën kush se kë shan dhe kë lëvdon Blushi dhe si rrjedhojë ai nuk kërcënohet nga askush, se helbete, të kishin dalë nja 2-3 budallenj që t’ia digjnin librin, siç bënë me librin e Fevziut. (Unë mendoj që Blushi shkruan më mirë, por këtu për shembull më duhet të pranoj që mënyra e promovimit të librit me djegie e Fevzos ishte më gjeniale se përdorimi i frazës, ‘’më thonë provokator” që ka zgjedh Blushi.)
Pra, ka ca pengesa që fatkeqësisht nuk varen nga ai, por që Blushi nuk i kapërcen dot. Ato mezi i ka kapërcyer Ismail Kadare.
Në letërsinë shqipe dhe në debatin publik, shpesh emrat e mëdhenj përdoren si krahasime të rënda. Blushi nuk e thotë që jam si Selman Ruzhdie, por po përpiqet me tahma të madhe që kjo të nënkuptohet dhe ta thotë dikush. E prap askujt deri tani nuk i ka shkuar mendja, sikur ta përdornin qoftë edhe sa për një titull lajmi.
E meqë ashtu po e them unë i pari, Blushi do donte shumë të krahasohej me Selman Ruzhdien, por për shkak të këtyre rrethanave dhe faktorëve, ky nuk është një provokim, fatkeqësisht nuk mund të bëhet dot një Selman, do mbetet një Ben që shkruan për qejfin e tij në një shoqëri që për nga hierarkia e pasioneve apo punëve që bën, leximin e ka nga vendi 8-9 në 10 gjërat prioritare.
Talentet nuk maten me zhurmë publike
Ben Blushi është padyshim një figurë e njohur në shqipëri: shkrimtar, gazetar, politikan. Ka shkruar romane që kanë pasur jehonë dhe ka dominuar diskursin. Por ndikimi publik nuk është i njëjtë me peshën artistike. Në rastin e Rushdies, bota flet për një autor që ka zhvendosur kufijtë e realizmit magjik, që ka krijuar univers të tërë stilistik, që ka ndikuar në letërsinë botërore.
Stili i Blushit, sado i lexueshëm, nuk e ka atë ambicie transformuese.
Njëri ndërton mitologji të reja, tjetri përdor të vjetrat
Rushdie krijon botë ku historia, mitologjia dhe fantazia pleksen në një mënyrë që flet për universalen, për njeriun e çdo kontinenti. Blushi, në anën tjetër, ngrihet mbi materiale të njohura shqiptare. Flet për njerëzit e Rrugës së Kavajës — histori lokale. Kjo është krejtësisht legjitime, por nuk e çon letërsinë drejt dimensioneve të reja; e mban të rrënjosur në “fshat”.
Njëri pagoi me “jetën” për fjalën; tjetri e përdori fjalën për jetën publike
Rushdie është simbol i lirisë së shprehjes. Ai u bë shënjestër globale për idetë e tij. Blushi, përkundrazi, lëviz lirshëm mes letërsisë, politikës dhe medias përmes pushtetit të fjalës dhe i përdor ato sipas nevojave të karrierës. Kjo nuk e zhvlerëson si individ publik, por e vendos shumë larg figurës së një autori martir, të një krijuesi që mbetet i palëkundur në mbrojtje të artit.
Letërsia e madhe nuk ndërtohet vetëm mbi përmbajtje, por mbi gjuhë
Ndërsa Rushdie luan me gjuhën angleze deri në skajet e saj, duke e shtyrë të marrë forma të reja, Blushi—edhe kur është elegant në stil—mbetet brenda një proze lineare, ku rrëfimi është më i rëndësishëm se eksperimentimi. E lexova pa ndërprerje i tha moderatorja. Po kjo s’do të thotë asgjë në letërsi. Pa një zë të dallueshëm estetikisht, është e vështirë të pretendosh një kategori botërore.
Pra, Blushi, me të mirat dhe kufijtë e tij, është produkt i realitetit shqiptar. Rushdie është rezultat i një bote shumë më të gjerë, një kulturoriteti transkontinental. I bëri punë Anglisë kur mbrojti Selmanin nga sulmet e indianëve, pakistanezëve dhe sidomos iranianëve se kishte kontekst gjeopolitik gjëja, dhe Blushi si politikan duhet ta dijë këtë gjë.
Pra, të thuash se “Ben Blushi nuk bëhet dot Selman Ruzhide” nuk është as fyerje, as provokim. Është thjesht pranimi se letërsia ka nivele të ndryshme ndikimi dhe se ngritja e një autori vendas në piedestalet e letërsisë botërore kërkon diçka më shumë se famë, polemikë dhe sukses editorial.
Kërkon peshë estetike, rrezik artistik dhe univers të vërtetë letrar — gjëra që, të paktën deri më sot, nuk lidhen në të njëjtën mënyrë me emrin e Ben Blushit.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull