Nga Iraku në Orosh: Transformimi i rrezikshëm i Erzen Ukës, ish-komandoja që u shndërrua në simbol të radikalizimit

4 Minuta Lexim

Nga Klevis Hoxhaj

Arrestimi i Erzen Ukës në fshatin Orosh të Fushë-Arrëzit, ka rikthyer vëmendjen te një nga rastet më të theksuara të radikalizimit individual në Shqipëri.

Ish-komando i ushtrisë shqiptare dhe pjesëmarrës në misionet paqeruajtëse në Irak dhe Afganistan, Uka u shndërrua ndër vite nga ushtarak i trajnuar, në një individ të monitoruar nga strukturat e Antiterrorit për propagandë dhe aktivitet me prirje ekstremiste.

Ai u bë i njohur për organet e drejtësisë që në vitin 2015, kur u arrestua fillimisht me dyshimet se po përpiqej të rekrutonte të mitur për t’iu bashkuar organizatës ISIS.

Çështja shkaktoi debate të forta në gjykatë, ku Uka pati përplasje të ashpra me gjyqtarin e seancës.

Hetimet treguan se, pas shërbimit ushtarak jashtë vendit, ai nisi të shfaqte publikisht një profil krejtësisht të ri, të shoqëruar me diskurse fetare radikale dhe materiale propagandistike të postuara në rrjetet sociale, përfshirë edhe flamuj të ISIS-it.

Në shtator të vitit 2020, Gjykata e Tiranës e dënoi Ukën me tre vite burg për nxitje të veprave me qëllime terroriste dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municionit, duke vulosur juridikisht faktin se ai ishte kthyer në objekt monitorimi serioz për shërbimet e sigurisë.

Hetimet asokohe përfshinë jo vetëm aktivitetin e tij online, por edhe video të postuara nga ai, ku Uka shihej duke demonstruar taktika të përdorimit të armëve brenda shtëpisë, përfshirë edhe dy djem të mitur që stërviteshin prej tij.

Autoritetet thanë se qëllimi i këtij “trajnimi shtëpiak” ishte indoktrinimi dhe përgatitja graduale e të miturve për të shërbyer si pjesë e një grupimi me orientim radikal islamist.

Ai mbeti nën monitorim edhe pas dënimit, teksa vijoi të shfaqte prirje radikale dhe të publikonte reagime, mesazhe dhe simbolikë të lidhur me ISIS-in.

Në planin personal, Uka ishte i divorcuar dhe në përplasje të vazhdueshme me ish-bashkëshorten, e cila kishte marrë kujdestarinë e fëmijëve me vendim gjykate. Edhe për këtë çështje ai u hetua, pasi dyshohej se kishte penguar zbatimin e vendimit të Gjykatës.

Sipas Policisë, gjatë muajve të fundit ai kishte jetuar së bashku me Julian Cumrakun në një banesë të braktisur në Orosh.

Cumraku është nip i pronarit të shtëpisë dhe dyshimet se të dy po mbanin aktivitete të dyshimta ishin monitoruar prej kohësh nga Antiterrori.

Situata kulmoi të hënën e 24 nëntorit, kur shërbimet e Policisë së Pukës u përballën me rezistencë të armatosur nga brenda asaj banese.

RENEA u thirr në vendngjarje dhe rrethimi zgjati 12 orë, deri në dorëzimin e dy të dyshuarve, pas negociatave me familjarë dhe në kushtet kur largimi nga zona ishte bërë i pamundur.

Gjatë kontrollit të banesës u sekuestruan armë luftarake, municion, pajisje të përdorshme për shpërthime, granata dore si dhe një flamur i ISIS i vendosur në mur, i cili, sipas Antiterrorit, shërbente si simbol identifikues i radikalizimit të tij.

Materialet e sekuestruara, sipas hetuesve, konfirmojnë se Uka nuk ishte thjesht një individ me pikëpamje të skajshme, por një person me arsimim ushtarak dhe njohuri reale mbi armët, i cili po kërkonte të ndërtonte një profil operativ brenda vendit.

Rasti i Erzen Ukës është aktualisht një shembull i qartë se radikalizimi i dhunshëm nuk ka nevojë domosdoshmërish të lidhet me udhëtime jashtë vendit apo përfshirje në zonat e luftës.

Ai mund të zhvillohet në mënyrë të heshtur, brenda komuniteteve të vogla, në izolim dhe pa shumë vëmendje publike, duke e kthyer individin në rrezik real për sigurinë kombëtare.

Autoritetet dhe inteligjenca shqiptare kanë nisur të adresojnë zyrtarisht një dimension të ri rrezikshmërie: elementet e trajnuar ushtarakisht dhe të orientuar drejt radikalizmit.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull