Kriza e transmetuesit publik në Kosovë, rast që s’është parë në asnjë vend të rajonit

6 Minuta Lexim

Nga Altina Marmullaku

Radio Televizioni i Kosovës po përballet me njërën nga krizat më të rënda në historinë e tij, teksa punëtorët kanë hyrë në muajin e dytë pa paga. Mosekzekutimi i pagave për 24 ditë dhe vonesat e vazhdueshme në pagesat e transmetuesit publik kanë ngritur shqetësime të thella për të ardhmen e pavarësisë së tij financiare dhe editoriale.

Sindikata dhe stafi i RTK-së e kanë cilësuar këtë situatë si “kriza më e madhe që ka përjetuar ndonjëherë transmetuesi publik”, duke kërkuar nga Qeveria në detyrë veprim urgjent për të siguruar mbijetesën institucionale të medias publike. Në anën tjetër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në përgjigjen e dërguar për organizatat ndërkombëtare, ka thënë se pa komision parlamentar nuk mund të ketë paga për RTK-në.

Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, në një bisedë për Albanian Post, deklaron se kriza financiare që i është imponuar medias publike në Kosovë është një rast i paprecedent në historinë e mediave publike të Ballkanit Perëndimor.

“Kriza financiare e shkaktuar prej institucioneve politike dhe ligjbërëse në Kosovë ndaj medias publike është goditje e rëndë. Nuk ka një rast të dytë të vonesave dhe bllokimeve të tilla për mediat publike në krejt rajonin”, thotë Çipa për Albanian Post.

Ai e konsideron si “padrejtësi” dhe “shkelje ligjore” mosdhënien e pagave për punonjësit e medias publike për shkak të mosrespektimit të procedurave ligjore.

“Bllokimi financiar i RTK-së është shkelje e pastër kushtetuese. Si drejtues i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë shprehem në mbrojtje të plotë të së drejtës së kolegëve të RTK-së. Greva e gazetarëve dhe punonjësve të RTK-së, si reagim ndaj mosmarrjes së pagave mujore dhe bllokimit total financiar të institucionit, meriton solidaritet të plotë nga të gjitha organizatat e gazetarëve, forumet dhe institucionet që mbrojnë lirinë e medias dhe informimit publik”.

Ai shton se tejzgjatja e kësaj krize ka shkaktuar pasoja të pallogaritshme për fatin social e financiar të punonjësve dhe gazetarëve, si dhe të familjeve të tyre.

“Në kushtet e një vakumi kushtetues të krijuar nga kriza politike dhe zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, ekzistojnë mundësi që — nëse do të materializohej vullneti për dakordësi — me procedura të Kuvendit aktual ose me vendime ligjore të Qeverisë të miratohej buxhetimi tradicional i RTK-së, për të shmangur precedentin e bllokimit dhe rënies në krizë të thellë financiare të institucionit”.

Çipa kritikon gjithashtu Qeverinë në detyrë për mosmarrjen e veprimeve të nevojshme me kohë që transmetuesi publik të mos përfundonte në këtë situatë.

“Qeveria në detyrë e kryeministrit Albin Kurti do të duhej të kërkonte me kohë konsensus me opozitën në Kuvend, për të kaluar ligjin e pjesshëm të buxhetit funksional për institucionet dhe entet publike, të cilat për shkak të krizës politike gjenden në kushte ekzistenciale”.

Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, në një përgjigje për Albanian Post, thotë se përbuzja e treguar nga klasa politike kosovare ndaj të drejtës së qytetarëve për të pasur qasje në informacion pluralist është veçanërisht tronditëse.

“Duke refuzuar të sigurojnë financim adekuat dhe të qëndrueshëm për RTK-në, qeveria dhe parlamenti i Kosovës jo vetëm që po shkelin standardet ligjore evropiane për pluralizmin mediatik, por po ndjekin një kurs thellësisht jodemokratik. Duke vepruar kështu, ata po shkatërrojnë mundësinë e Kosovës për të fituar njohjen ndërkombëtare që e meriton”, thotë Gutierrez për AP.

Ai paralajmëron se kjo situatë do të sjellë sfida të tjera për demokracinë në vend.

“Udhëheqësit politikë të vendit kanë zgjedhur interesat e tyre të ngushta mbi interesin publik. Ky është një hap i tmerrshëm prapa për demokracinë, që do të ketë pasoja të rënda për popullin e Kosovës”.

Sipas tij, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka dështuar të shpjegojë pse ishte e ligjshme të transferoheshin pagat në muajin gusht, ndërsa tani pretendohet e kundërta.

“I bëj thirrje kryeministrit Kurti të ndalojë së politizuari më tej transmetuesin publik dhe të sigurojë menjëherë ekzekutimin e pagave të RTK-së. Askush nuk duhet të luajë me mirëqenien e 700 punonjësve dhe familjeve të tyre”.

Gjatë këtij muaji, punëtorët e RTK-së kanë protestuar tri herë për pagat, por pa gjetur zgjidhje. Për këtë arsye, nga e hëna ata kanë nisur grevën.

Greva e 700 punëtorëve të transmetuesit publik do të zhvillohet çdo ditë nga ora 11:00 deri në 13:00, me pezullimin e të gjitha punëve në çdo sektor deri në ekzekutimin e pagave.

Situata aktuale është bërë edhe më problematike pasi presidentja Vjosa Osmani ka shpërndarë Kuvendin e Kosovës për shkak të mosarritjes së një marrëveshjeje ndërmjet subjekteve politike për formimin e Qeverisë. Pa Kuvend nuk mund të miratohen komisionet parlamentare, përfshirë ato që duhen për buxhetin e RTK-së.

Krizë e ngjashme është krijuar edhe në Komunën e Prishtinës, ku transporti publik dhe privat është në grevë, pasi punonjësit nuk kanë marrë paga prej shtatë muajsh.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull