Më 18 nëntor 2025, pranë Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD) në Tiranë u zhvillua Takimi Rajonal: “Lançimi i Observatorit të Rinisë dhe Diskutimi mbi Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe Tregun e Përbashkët Rajonal”, i cili bëri bëri së bashku përfaqësues të lartë nga rajoni, diplomatë, zyrtarë të lartë nga vendi, ekspertë nga i gjithë rajoni, organizata të shoqërisë civile dhe të rinj.
Ky event i organizua nga Rrjeti i Profesionistëve të Rinj/ Young Professionals Network (YPN) në bashkëpunim me Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal(RCC) shërbeu si një hapësirë e hapur për reflektim, shkëmbim idesh dhe dialog konstruktiv mbi rolin e të rinjve në zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe në funksionimin e Tregut të Përbashkët Rajonal.
Takimi u hap nga Françeska Muço, Drejtor Ekzekutiv i Rrjeti i Profesionistëve të Rinj/ Young Professionals Network, e cila inkurajoi pjesëmarrësit dhe panelistët të angazhoheshin në një diskutim të sinqertë dhe të hapur, pasi mendimi kritik, dialogu dhe bashkëpunimi dhe janë në zemër të çdo demokracie.
Danijela Gačević, Drejtuese e Departamentit të Programeve në RCC, theksoi peshën strategjike të bashkëpunimit rajonal për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, duke rikujtuar se ai kontribuon rreth 10% të PBB-së së rajonit. Ajo nënvizoi se bashkëpunimi rajonal ka qenë një instrument real që hap më shumë mundësi për biznes, studime dhe mobilitet. “Përmes Planit të Rritjes,” u shpreh ajo, “po mbështesim një integrim gradual të rajonit në tregun e BE-së.”
Ndërkohë, Ritva Heikkinen nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri adresoi çështjen e ndjeshme të largimit të të rinjve (brain drain), duke theksuar domosdoshmërinë e ndërhyrjeve të hershme për frenimin e këtij fenomeni që kërkon zgjidhje të shumëanshme. Ajo nënvizoi se “është e rëndësishme të adresojmë fenomenin e brain drain sa më herët dhe të krijojmë kushte që të rinjtë të rikthehen,” duke theksuar se BE mbetet e angazhuar në mbështetjen e sipërmarrjes dhe zhvillimit profesional të të rinjve në rajon.Ambasadori i Suedisë në Shqipëri, Niklas Ström, solli perspektivën suedeze, duke nënvizuar se investimet afatgjata në arsim dhe kërkim janë themeli i zhvillimit të qëndrueshëm. Ai solli edhe shembuj praktikë, përfshirë futjen e një semestri praktik dhe edukimin financiar si hapa për përgatitjen e të rinjve për tregun e punës.Lira Pipa, Zv. Ministre e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, ndau një zhvillim të rëndësishëm në nivel kombëtar: punën për Ligjin e Vullnetarizmit në bashkëpunim me Parlamentin. Ajo theksoi qëllimin e këtij ligji që përvojat e vullnetarizmit të njihen zyrtarisht për të mbështetur zhvillimin profesional të të rinjve. Nga perspektiva rajonale dhe rinore, Kreshnik Loka, Zv. Sekretar i Përgjithshëm i Regional Youth Cooperation Office (RYCO), theksoi se bashkëpunimi rajonal shërben si “presion pozitiv dhe urë lidhëse” për nxitjen e reformave dhe përfshirjen e të rinjve dhe komuniteteve të pakicave në proceset vendimmarrëse.
Një pjesë thelbësore e aktivitetit iu kushtua dialogut të hapur me të rinjtë, të cilët ngritën çështje kritike si cilësia e arsimit, mobiliteti i fuqisë punëtore, sfida e ikjes së trurit(brain drain) dhe potenciali për një “brain gain” të strukturuar, si dhe nevoja për institucione më transparente dhe më të përgatitura. Diskutimet treguan qartë se fuqia transformuese e Ballkanit Perëndimor është rinia dhe përfshirja e tyre e kuptimplotë në procesin e integrimit evropian është një domosdoshmëri për një të ardhme të qëndrueshme, konkurruese dhe të drejtë.
Një pjesë e rendësishme e eventit ishte lançimi zyrtar i Observatorit të Rinisë në Ballkanin Perëndimor, një iniciativë rajonale e Rrjetit të Profesionistëve të Rinj/ Young Professionals Network (YPN) me mbështetjen e Open Society Foundations – Western Balkans. Observatori synon të krijojë platformën e parë gjithëpërfshirëse për monitorimin dhe analizimin e politikave rinore në të gjithë rajonin, duke përforcuar avokimin e bazuar në evidenca, duke mbështetur përafrimin me standardet e BE-së dhe duke vendosur nevojat e të rinjve në qendër të hartimit të politikave të zhvillimit.

