Në Gjykatën e Apelit të Tiranës po shqyrtohet një nga çështjet më të nxehta politike, e cila do të përcaktojë fatin e Partisë Demokratike, nëse do të mbetet në dorën e Sali Berishës dhe Rithemelimit apo në duart e Enkelejd Alibeajt dhe Lulzim Bashës. Gjyqtari i shkallës së parë Agron Zhukri, në 25 mars 2022, vendosi të kalonte partinë dhe vulën në duart e Berishës, duke i njohur Kuvendin e 11 dhjetorit 2021, bashkë me vendimet për shkarkimin e Lulzim Bashës, ndryshimin e statutit, Rithemelimin, marrjen e partisë etj. Por vendimi i Agron Zhukrit, një gjyqtar me lidhje të forta me Berishën, u ankimuar nga grupi i Bashës në Apel.
Ndërkohë, Basha mblodhi Kuvendin e 18 dhjetorit 2021, ku ndër të tjera u përjashtuan nga partia personat që janë “non grata” nga SHBA-të, konkretisht Sali Berisha. Para se të godiste Berishën me urdhër të SHBA-ve, Basha kishte mbledhur Kuvendin e 18 korrikut 2021, duke miratuar statutin e ri të PD-së dhe kupolën e re të partisë. Kuvendi i 17 korrikut 2021 u mbështet edhe nga Berisha, pasi ende nuk kishte marrë goditjen nga Basha dhe mendonte se kishte Bashën nën kontroll.
Situata nisi të dilte jashtë kontrollit kur Basha përjashtoi Berishën nga PD-ja në 9 shtator 2021, disa orë para skadimit të ultimatumit amerikan. Grupi i Bashës i çoi për njohje në gjykatë vendimet e Kuvendit të 17 korrikut 2021 vetëm në 13 dhjetor 2021, dy ditë pas Kuvendit paralel të Berishës, i cili kishte ndryshuar statutin dhe shkarkuar Bashën.
Më pas, grupi i Bashës çoi në gjykatë për regjistrim edhe vendimet e Kuvendit të 18 dhjetorit 2021. Por, Gjykata e Tiranës, në 18 mars 2022, vendoi të njohë dhe të regjistrojë vetëm vendimet e Kuvendit të PD-së së 17 korrikut 2021. Gazmend Bardhi i linjës së Bashës e ka ankimuar këtë vendim, pasi pretendon se gjykata duhet t’i kishte njohur vendimet e të dy Kuvendeve, të 17 korrikut dhe 18 dhjetorit. Kjo çështje po shqyrtohet paralelisht me vendimin e Zhukrit në Gjykatën e Apelit Tiranë.
Ndërkaq, Rithemelimi i Berishës ka bërë edhe dy padi të tjera, një padi kundër ankimimit të PD-së së Bashës ndaj vendimit të Agron Zhukrit si dhe një padi tjetër për të mos legjitimuar PD-në e Bashës si palë në proces. Paditë janë rrëzuar nga shkalla e parë. Përfaqësuesi ligjor i Rithemelimit, Ivi Kaso, e ka konsideruar nul vendimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për të njohur si ankimimin e kreut të grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj ndaj vendimit të gjyqtarit, Agron Zhukri, që mandatoi Komisionin e Rithemelimit si organi drejtues i PD-së.
Trupa gjykuese që do të shqyrtojë kërkesën e Rithemelimit që PD-ja Bashës të mos jetë palë në proces dhe t’i heqë të drejtën për të ankimuar vendimin e Agron Zhukrit, përbëhet nga Elona Toro, Genti Shala dhe Edlira Petri. Nëse këta tre gjyqtarë pranojnë padinë e Kasos së Rithemelimit, bie gjithë çështja, pasi ankimimi i vendimit të Agron Zhukrit, që i dha PD-në Berishës, bëhet nul. Kështu vendimi i Zhukrit merr formë të prerë, pasi rrëzohet pala ankimuese.
3 gjyqtarët që kanë alarmuar Berishës
Gjyqtarët Irida Kacerja, Genti Shala dhe Emona Muçi do të vendosin në Apel për rrëzimin apo lënien në fuqi të vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri të shkallës së parë, i cili i dorëzoi PD-në Berishës. Nëse tre gjyqtarët rrëzojnë vendimin e Zhukrit, PD-ja kalon në duart grupit të Lulzim Bashës, i përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj dhe Gazmend Bardhi. Nëse tre gjyqtarët lënë në fuqi vendimin e Zhukrit, PD-ja mbetet në duart e Berishës.
Sali Berisha ka disa muaj që ka shfaqur shenja nervozizmi dhe shqetësimi të thellë, duke treguar se nuk ka siguri siç kishte në shkallën e parë me gjyqtarin Agron Zhukri, bashkëshortja e të cilit ka qenë sekretare personale e Berishës.
Berisha ka akuzuar që në muajin maj 2022 Gjykatën e Apelit për ndikim nga Edi Rama, akuzë që mori një përgjigje nga gjykata. “Gjykata e Apelit Tiranë, e përgjegjshme për funksionin që i është ngarkuar, konsideron të papranueshëm çdo reagim dhe deklarim paragjykues, sulmues apo denigrues që synon të ushtrojë ndikim në marrjen e një vendimi të caktuar mbi këto çështje”.
Ditën e djeshme, Berisha iu rikthyer gjuhës së ashpër, teksa tha se “ai që prek flamurin e PD i ka bërë hesapet shumë keq, do e shihni ditët e ardhshme”, duke i dhënë një mesazh jo vetëm Alibeajt, por edhe gjykatës.
Tre gjyqtarët kanë kaluar Vetingun
Gjyqtarja Irida Kacerja, e cila është edhe relatore e çështjes, ka kaluar Vetingun, duke u konfirmuar në detyrë në prill të vitit 2021. Kacerja e ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2008. Nga viti 2007 deri në vitin 2012 ajo ka shërbyer si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër. Nga viti 2012 deri në vitin 2015, Kacerja ka punuar si këshilltare ligjore në Gjykatën e Lartë, ndërsa pas vitit 2015 është rikthyer në Gjykatën e Shkodrës dhe më pas në Apelin e Tiranës.
Edhe Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Genti Shala, ka kaluar Vetingun, duke u konfirmuar në detyrë në gusht të vitit 2021. Shala e ka filluar karrierën e tij si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër. Në vitin 2006 ai është emëruar anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, post të e ka mbajtur deri në vitin 2008. Në vitin 2010, Shala është emëruar në Gjykatën e Apelit Tiranë, një post që e mban edhe sot.
Edhe Emona Muçi e ka kaluar procesin e Vetingut, duke u konfirmuar në detyrë që në vitin 2018. Muçi e ka nisur karrierën në gjyqësor në vitin 2012, pas kryerjes së Shkollës së Magjistraturës. Përgjatë tetë viteve, ajo ka punuar si gjyqtare në Gjykatën e Tiranës dhe atë të Dibrës, ka ushtruar funksionin e ndihmëses ligjore në Gjykatën e Lartë dhe në vitin 2016 u komandua si kryetare e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec.(Shqiptarja.com)