Prania në drejtimin e politikave të arsimit e njerëzve të paaftë, të korruptuar, arrogantë dhe qelepirxhinj, ka bërë që arsimi i lartë sot, të ketë mbetur peng midis “reformës cilësore” të trumbetuar dhe pamjes trishtuese reale.
Universiteti sot gjendet nën kthetrat e politikës së qeverisjes aktuale, interesave të grupimeve të ndryshme “intelektuale”, si dhe oligarkëve të veshur me “petk akademik” që cilësinë akademike e kanë zëvendësuar me marketingun ekonomik të arsimit të lartë.
Si mund të ringrihet sistemi i arsimit të lartë?
Si hallkë e parë e rëndësishme, pas së cilës një qeveri do t`i duhej të kapej sa më fort, është ajo që ka të bëjë me përgatitjen e personelit akademik, si ekzistues ashtu dhe të ardhshëm.
Ajo që realisht po ndodh në arsimin e lartë publik është lënia pas dore e personelit akademik të qëndrueshëm dhe rekrutimi i personelit të ri akademik nga radhët militanteske të partisë pushtet, të doktoruar në të vetmet shkolla aktuale të doktoratës, në ato private.
Si hallkë të dytë duhej punuar që procesi i ringritjes së universiteve, të mos bazohej vetëm në strukturat drejtuese të arsimit të lartë, por të fillonte në institutet dhe qendrat kërkimore të universiteteve, pra në bazë; në fakultete e departamente, në punën e pedagogëve në auditor, në mbarëvajtjen e dijes, kërkimit dhe marrëdhënieve pedagog-student.
Mësimdhënia dhe vlerësimi në arsimin e lartë kanë mbetur në mëshirë të fatit, galopon paaftësia e mbrojtur nga lart, mitmarrja dhe poshtërimi i figurës së studentit. Kjo në arsimin e lartë publik, pasi në pjesën më të madhe të arsimit privat fjala student ka kohë që është zëvendësuar me fjalën klient.
Si hallkë të tretë, reforma në arsim ka mbetur në klasë, pasi ka munguar një diskutim i gjerë i synimeve që duhen përcaktuar dhe arritur në këtë shoqëri, për të paktën 30 vitet e ardhshme, nën dritën e orientimeve dhe eksperiencës që na vjen nga hapësira evropiane e arsimit të lartë dhe politikave shtetare të vendeve perëndimore.
Shpikjet dhe gjetjet afatshkurtra kryeministrore, jo në përputhje me direktivat perëndimore, janë thjesht dhe vetëm objekt tjetërsimi dhe përfitimi i të ardhurave që shpenzon shoqëria jonë për arsimin e lartë.
Nuk ka njeri të përgjegjshëm e të ndërgjegjshëm, sot, që të mos ketë kuptuar tjetërsimin e qëllimeve të arsimit të lartë, nga ana e qeverisë, pra; nga qëllime akademike e zhvillimi në qëlllime përfitimesh klanore.
Kush duhet të jenë aktorët e vërtetë të reformës në arsim?
Në praktikën e vendeve perëndimore kur flitet për nevojën e reformave në fushën e arsimit, vendimtare nuk janë ato që thuhen në qarqet qeveritare, as ato që thuhen nga drejtuesit e universiteteve, por janë ato që thuhen nga trupat pedagogjike e akademike.
Janë pikërisht këta të fundit që përcaktojnë strukturën dhe ecurinë e proceseve e të praktikave akademike e mësimore për një përgatitje sa më të mirë të studentëve e për një mbarëvajtje sa më të mirë të strukturave akademike e mësimore.
Mjafton përvoja dhe shembujt që na vijnë nga bota akademike perëndimore, për kuptuar se sa mbrapsht është vepruar këtu tek ne me arsimin e lartë.
Sot po kuptohet qartazi sesi po funksionon standardi (pusht)etëror për universitetet; ai dikton kushte, punëson pedagog oborri, paaftësia e të cilëve është bërë tashmë pengesë serioze për dijen dhe kërkimin.
Konceptimi politik që i bëhet sot arsimit të lartë, ka çuar drejt një menaxhimi të tij që dita ditës po ngushton hapësirat arsimore dhe po errëson qëllimet, po përcakton të tilla masa, që nuk janë në harmoni me kërkesat e hapësirës së gjerë arsimore dhe të synimeve pedagogjike të arsimit të lartë.
Menaxhimi dhe synimet akademike e shkencore në institucionet e arsimit të lartë nuk mund të injektohen së jashtmi, e aq më tepër nga të paaftë dhe të korruptuar, pasi kështu dobësohen shtyllat mbajtëse të një universiteti.
Elitarizimi partiak i arsimit të lartë nëpërmjet rekrutimit të militantëve, kontrolli pa kufi i universiteteve, si dhe burokratizimi i tejskajshëm i proceseve, na kanë çuar drejt rrënimit të arsimit të lartë dhe shndërrimit të tij në një arsim të dobët, aq sa nuk konkurron dot as veten.
Universitetin e bëjnë pedagogët, jo qeveria!