Gropë karstike 10 metra e thellë pranë banesave në Belsh, banorët në panik

1 Minuta Lexim

Një fenomen natyror i rrezikshëm është shfaqur pranë banesave në lagjen e spitalit në qytetin e Belshit, ku një gropë karstike me diametër rreth 7 metra dhe thellësi më shumë se 10 metra ka alarmuar banorët e zonës. Ky fenomen është i zakonshëm për zonën e Dumresë, e cila ka më shumë se 84 liqene të krijuara nga proceset karstike, por shfaqja e tij ka ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë e banorëve.

Fenomeni natyror ka shkaktuar panik tek banorët, të cilët janë të shqetësuar nga afërsia e gropës me banesat e tyre. Dita ditës, gropa po afrohet gjithnjë e më shumë me shtëpitë, duke i shtuar ndjeshëm frikën dhe pasigurinë në zonë. Banorët kanë kërkuar ndërhyrje nga strukturat e emergjencave për të parandaluar ndonjë incident të mundshëm.

Zona e Dumresë, që shtrihet në 360 km², është e njohur për terrenin karstik të saj, i cili është formuar nga shkrirja e shkëmbinjve të gipsit dhe gëlqeres. Ky fenomen ka ndodhur edhe më parë, pasi në Qershor të këtij viti një gropë e ngjashme u shfaq në fshatin Dëshiran, ndërsa në maj të vitit 2022 një tjetër gropë u hap pranë banesave në fshatin Cestije, gjithashtu në Belsh.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull